Përballë përshkallëzimit të konfliktit tregtar të shkaktuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, Bashkimi Evropian po planifikon kundërmasa. Tarifa të reja mund të vendosen mbi eksportet amerikane në BE.
Bashkimi Evropian po përgatit kundërmasa shtesë që do të zbatohen për importet nga Shtetet e Bashkuara me vlerë 72 miliardë euro, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi futjen e tarifave doganore. Kjo u deklarua nga Komisioneri evropian përkartës Marosh Shevçoviç, pas takimit të ministrave të Tregtisë në Bruksel.
Përgatitjet për masat përfshijnë një listë të produkteve industriale dhe bujqësore nga SHBA-ja për të cilat BE-ja mund të vendosë tarifa të reja nëse përpjekjet evropiane për të arritur një marrëveshje nuk japin fryte. Pas konsultimeve publike, lista u korrigjua edhe një herë.
Fillimisht, ajo përfshinte importet nga SHBA-ja në BE me vlerë deri në 95 miliardë euro. Shevçoviç nuk tha menjëherë se cilat produkte ishin lënë jashtë listës. Lista përmbante edhe produkte me vlerë më të mëdha, si aeroplanë amerikanë, makina dhe burbon.
Letra e Trump dhe një “dinamikë krejtësisht ndryshe”
Shevçoviç shprehu zhgënjim me paralajmërimin e Trumpit për të futur tarifa të reja importi prej 30 përqind për produktet nga BE-ja nga 1 gushti. “Ne kemi negociuar një marrëveshje bazë për javë të tëra dhe mendoj se jemi pothuajse afër marrëveshjes,” tha ai. Njoftimi i Trumpit tani sjell “një dinamikë krejtësisht të ndryshme”.
Në të njëjtën kohë, Shevçoviç paralajmëroi se zbatimi i planeve të Trumpit do të kishte pasoja drastike për tregtinë transatlantike. “Le të jemi të sinqertë: tarifat prej 30 përqind do të ishin praktikisht një embargo tregtare”, tha ai duke shtuar se futja e tarifave të tilla do të kishte pasoja të konsiderueshme negative për të dyja palët.
Negociatat deri në fund të muajit
Komisioneri për Tregtinë theksoi se do të vazhdojë dialogun me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të arrijë një marrëveshje deri më 1 gusht. Nëse nuk arrihet marrëveshje, BE do të reagojë me kundërmasa serioze. Kundërmasat janë miratuar tashmë në rast se SHBA-ja nuk tërheq tarifat e reja për importet e çelikut dhe aluminit, të cilat u futën më parë në fuqi.
Sipas deklaratave të mëparshme të BE-së, tarifat e reja për eksportet amerikane me vlerë totale prej 21 miliardë eurosh mund t’u shtohen tarifave për mallrat dhe shërbimet me vlerë 72 miliardë euro.
Komisioni Evropian ka përgatitur së fundmi edhe kufizime për eksportin e mbetjeve të çelikut dhe produkteve kimike në SHBA me vlerë 4.4 miliardë euro.
Kërcënime për luftë tregtare
Shevçoviç duke folur për negociata të mëtejshme, tha se, pavarësisht letrës së Trumpit, ai ka përshtypjen se partnerët amerikanë janë gjithashtu të gatshëm të vazhdojnë bisedimet. Ai është i bindur se zgjidhja e arritur përmes negociatave është shumë më e mirë sesa tensionet që mund të lindin në rast të përshkallëzimit pas 1 gushtit. “Përndryshe kjo nuk do të përfundojë mirë”, theksoi ai.
Ekonomia gjermane, e cila është fuqimisht e orientuar drejt eksportit, është veçanërisht e ndjeshme. Banka Federale Gjermane ka llogaritur se çdo e katërta punë në Gjermani varet nga eksportet. E eksporti ka shënuar rënie së fundi. DW