Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka uruar 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Hasani shkruan se Shqipëria është faktor stabiliteti dhe orientimi euroatlantik në rajonin e Ballkanit.
“Në 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, urime të përzemërta për të gjithë shqiptarët në mbarë botën! Modeli ynë i bashkëjetesës, dialogut, mikpritjes e tolerancës, vendosmëria për të parë përpara e ringritur pas çdo vështirësie me kokën lart, janë burim frymëzimi e krenarie për breza shqiptarësh në Shqipëri, rajon e botë që sot shkëlqejnë në art, sport, diplomaci, teknologji e çdo punë të ndershme. Këto vlera janë dhe themeli i punës dhe angazhimit tonë të palëkundur si faktor stabiliteti e orientimi euroatlantik në rajon, duke e bërë Shqipërinë të njihet sot si një kontribuese e respektuar në arenën ndërkombëtare”, shkruan ministri i Jashtëm.
Shqipëria feston sot 111-vjetorin e Pavarësisë. Me rastin e Ditës së Flamurit, në Tiranë do të organizohet parada e shqiptarëve, ku do të mblidhen shqiptarë nga të gjitha trojet si dhe 150 ansamble popullore.