SARANDE- Dhjetë kilogram tritol C4 me sa duket nuk kanë mjaftuar për të shembur këtë pallat në Sarandë. Shpërthimi i kontrolluar u krye mesditën e së shtunës nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik ku e pranishme ishte dhe drejtoresha Dallëndyshe Bici.
Pas shpërthimit është vënë re se një pjesë e pallatit 6 katësh nuk kishte rënë dhe po punohet për shembjen e pjesës së mbetur me fadroma. Objekti në fjalë i përkiste Rustem Shehajt, banor i Sarandës.
Për prishjen e objektit 6katësh sipas burimeve nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit u hapën në kolonat mbajtëse të objektit gjashtëkatësh rreth 400 vrima.
Plot 14 ndërtesa prishen për t’i hapur rrugë ndërtimit dhe asfaltimit të rrugës nr.5, loti 2 dhe 3 në qytetin e Sarandës. Aksioni i ditës së sotme realizohet pas shpronësimit që u është bërë pronarëve të pasurive të
paluejtshme, pronë private që preken nga realizimi i projektit për vazhdimësinë e ndërtimit të rrugës së 5të. /Opinion.al