Ish-kryetari i Bashkisë së Përmetit, Gilberto Jaçe është dënuar me 1 vit burg. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e qytetit të Përmetit, pasi mbi ish-kryebashkiakun rëndon akuza për shpërdorim detyre.
Bëhet fjalë për një objekt 70 metra katrorë që i ishte dhënë me qira një personi nën administrim për 6 muaj. Jaçe kishte hedhur poshtë më parë akuzat e Prokurorisë, duke thënë se çdo veprim i kryer nga ai është tërësisht jo abuziv dhe konform ligjit.
Sipas tij, hapësira prej 70 metra katrorë është dhënë në korrik të 2015 me qera ndaj Muhamet Berzanit, ish-këshilltar i majtë në Këshillin Bashkiak të Përmetit, ndërkohë që tjetërkush që pretendon të jetë pronar i një hapësire publike, denoncoi këtë aferë në organin e akuzës. Jaçe vitin e kaluar humbi zgjedhjet, ndërsa garonte për Partinë Socialiste. /tvklan.al