Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis i dërgoi një mesazh të ri Maqedonisë së Veriut për të ndalur provokimet verbale dhe vënien në pikëpyetje të Marrëveshjes së Prespës.
Mitsotakis deklaroi se nëse udhëheqja e re e Shkupit këmbëngul në retorikën provokuese, atëherë rruga e tyre evropiane do të mbetet e mbyllur.
“Unë jam sot këtu në Follorinë, në kufirin e vendit tonë dhe duhet t’ju them se jam shumë i pakënaqur që fqinjët tanë veriorë kanë zgjedhur në këtë moment të kthehen në kohë dhe të vënë në dyshim emrin e vendit të tyre, i cili u pajtua përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare ndërshtetërore.
Dëshiroj, pra, që këtu, disa kilometra larg kufijve tanë, të dërgoj një mesazh në Shkup dhe liderit të ri të tyre.
Në rast se këmbëngulin të vënë në dyshim thelbin e Marrëveshjes për emërtimin e vendit dhe ta quajnë si duan ta quajnë, atëherë duhet ta dinë se rruga e tyre evropiane do të mbetet e mbyllur. Dhe këtë e them jo me kënaqësi. Dhe fqinjët tanë duan që ne të kemi marrëdhënie të mira, qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk duan as tensione dhe as nacionalizëm. Dhe uroj dhe shpresoj që ata të vijnë në vete dhe të kthehen në rrugën e duhur”, tha Mitsotakis./Opinion.al