Paul Pogba është zyrtarisht një lojtar i Monaco-s. Klubi i Ligue 1 ka njoftuar firmën me mesfushorin francez, me një kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2027.
Pas problemeve të shumta, që e kanë shoqëruar gjatë kësaj kohe, lojtari synon të rikthehet në nivelet e mëparshme dhe për ta arritur këtë, ka zgjedhur një klub me emër si Monaco.
Pogba u pezullua në Itali, për shkak të përdorimit të një substance të ndaluar dopingu. Lojtari nuk luan një ndeshje zyrtare nga 3 shtatori i vitit 2023, ndërsa pak muaj më parë ndërpreu edhe kontratën me Juventusin. Për 32-vjeçarin është një fillim i ri, ku shpreson të rikthehet në formën e dikurshme.
Marrëveshja mes Pogba dhe Monaco ishte arritur prej ditësh, ndërsa këtë të shtunë është zyrtarizuar nga vetë klubi.