Konfirmohet ajo që u diskutua dje, Gianni De Biasi do të drejtojë në kampionatin spanjoll, La Liga. Ish-trajneri i Konbëtares shqiptare përballë Zinedine Zidane, Diego Simeone e shumë të tjerëve. De Biasi i ka thënë “po” Deportivo Alaves dhe do të marrë drejtimin e skuadrës spanjolle.
Vetë trajneri ka konfirmuar gjithçka sot për “Panorama Sport”. “Po, është e vërtetë. Sapo u thashë ‘po’ drejtuesve të Deportivo Alaves dhe do të marr drejtimin e skuadrës”, – ishin fjalët e De Biasit, duke zyrtarizuar kthimin e tij në pankinë e për më tepër në Spanjë, ku ka drejtuar më parë Levanten.
Tekniku i përfaqësueses ishte prej qershorit në kërkim të një skuadre të re dhe tani do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij në një prej kampionateve më prestigjiozë në botë. Ai ka një detyrë të vështirë tek Alaves, që ka regjistruar 5 humbje në po aq ndeshje në kampionat, pa shënuar asnjë gol.
Prova e radhës do të jetë ajo e së shtunës në drekë, ndaj Real Madrid, por nuk dihet ende nëse De Biasi do të jetë në pankinë apo do të ndjekë nga tribuna këtë takim. Vështirë që ai të drejtonte këtë ndeshje nga stoli, pasi koha e njohjes së ekipit është shumë e paktë.