Zyra e kryeministrit britanik Rishi Sunak ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se Britania e Madhe nuk duhet të diskriminojë shqiptarët, por të punojë për të forcuar kufijtë e vet kundër emigracionit të paligjshëm.
“Britania ka një marrëdhënie të fortë me Shqipërinë dhe është mirënjohëse për punën që Shqipëria bën për të trajtuar trafikun e qenieve njerëzore”, tha të enjten një zëdhënëse e kryeministrit Rishi Sunak.
Edi Rama kritikoi të enjten, komentet e ministrave britanikë për rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë.
“Ne kemi një marrëdhënie të fortë me partnerët tanë shqiptarë. Ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku me ta,” u tha zëdhënësja gazetarëve.
“Ne duam të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi me partnerët ndërkombëtarë për të thyer modelin e biznesit të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe i jemi mirënjohës Shqipërisë për punën e tyre me ne për këtë.”