Te Fundit

Zoti nuk zëvendëson ndërgjegjen dhe arsyen tonë


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:36 - 07/11/20 |
el ida

Nga Dom Gjergj Meta

Konfliktet në botë nuk janë asgjë tjetër përveç jashtësimit të kundërshtive të brendshme tonat. Janë mendimet e kundërta, ndjesitë dhe forcat që përplasen brenda nesh. Kur dalin jashtë marrin formën e konflikteve familjare, komunitare, ndërshtetërore apo ndërpersonale. Paqja me veten është çelësi i zgjidhjes së shumë konflikteve.

Zgjidhja e konflikteve brenda vetes na jep mundësinë të zgjidhim ata jashtë vetes. Ja pse analiza, vetanaliza apo psikoanaliza na ndihmojnë të jemi njerëzit e zgjidhjeve dhe jo të problemeve.

Besimi në Zotin nuk është një zgjidhje e problemeve Deus ex macchina, si një magji. Besimi na jep dritën e nevojshme që të shoshisim më së miri se ç’rrugë duhet të zgjedhë ndërgjegja dhe arsyeja jonë drejt së mirës. Zoti nuk zëvendëson as ndërgjegjen dhe as arsyen. Na i ka dhënë t’i përdorim si duhet.

Po të vëmë re sa zemërim dhe inat, sa pakënaqësi dhe grindje ka brenda dhe jashtë nesh e kuptojmë se po humbim orientimin. Higjena mendore dhe shpirtërore në ne dhe përreth nesh është e sëmurë, do të thoja e infektuar.

Secili prej nesh ndikohet dhe ndikon situatën në të cilën ndodhemi si planet dhe si grupime më të vogla. Nuk jemi si para 100 vjetësh. Evoluimi tepër i shpejtë i shoqërisë dhe globalizimi i informacionit dhe i jetës po na vendos barra që para nesh nuk i kishin.

Ndaj më duket urgjent rikthimi në një dimension shpirtëror të shoqërisë dhe të individit në mënyrë që ky ndikim i ndërsjelltë të jetë sa më ndihmues për njeriun.

Shoqëritë e zhvilluara vazhdojnë me kokfortësi të mos duan të humbasin status quo-në e tyre, megjithëse në Afrikë, Azi, Amerikë Latine, Lindje të mesme madje edhe në Europë (Ballkan) ka shumë varfëri dhe eshka të ndezura konfliktesh.

Domensioni shpirtëror i jetës të ndryshon shikimin dhe mendësinë për një jetë individuale dhe shoqërore më të shëndetshme e më njerëzore. Këtë duhet të kërkojmë, një shoqëri më humane, ku të gjithë dhe çdo njeri është në vendin e vet dhe zhvillohet sipas origjinalitetit të tij.

+ d. Gjergji

Pas