Gjykata Kushtetuese ka vendosur rrëzimin e kërkesës së 37 deputetëve të Partisë Demokratike për ligjin e zonave të mbrojtura. Deputetët pretendonin se ligji binte ndesh me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Në vendimin e saj, Gjykata rrëzoi shumicën e pretendimeve për mungesë argumentimi kushtetues ose për shkak se gjyqtarët nuk arritën shumicën e nevojshme prej pesë votash.
Sa i përket raportit financiar të projektligjit dhe konsultimit publik, gjykata vlerësoi se ligji nuk ka sjellë efekte konkrete që do të kërkonin përllogaritje të detajuar shpenzimesh, ndërsa konsultimi publik i zhvilluar nga Kuvendi u cilësua në përputhje me Kushtetutën.
Gjithashtu, Gjykata theksoi se ligji është një ligj kuadër, pa pasoja të drejtpërdrejta, ndaj nuk cenon detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit. Vendimi përfundimtar i arsyetuar pritet të shpallet brenda afateve ligjore.