Me kërkesë të strukturave të rendit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka stakuar energjinë elektrike si masë e nevojshme sigurie për të evituar rreziqet e mëtejshme në zonën bregdetare “Rana e Hedhun”, Shëngjin
Ekipet ndodhen në terren, në mbështetje të grupeve të emergjencës së krijuar për shuarjen e zjarreve, informon OSHEE.
Flakët, të ndihmuara dhe nga era, janë afruar me shpejtësi pranë banesave në lagjen e “Portit” në Shëngjin.
Për të parandaluar përkeqësimin e situatës, autoritetet lokale kanë kërkuar evakuimin e banorëve të kësaj lagjeje pasi pranë saj ndodhet një depozitë gazi, e cila mban një kapacitet prej afro 5000 litrash.
Më herët Policia urdhëroi evakuimin e pushuesve dhe banorëve të zonës, ndërsa prej orësh vijon beteja e tyre me flakët, të cilat po përhapen me shpejtësi, të ndihmuara dhe nga era që është prezente në zonën e Shëngjinit.
Sakaq, gjatë pasdites së kësaj të marte, është ndërhyrë edhe nga ajri me helikopterin e ushtrisë “Cougar” ndërsa nga Italia kanë mbërritur dy avionë të tjerë, të cilët do të asistojnë në vënien e situatës nën kontroll.