Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar në magazinën e një qendre tregtare në Tiranë, ku pas një zjarri të rënë ende nuk dihet fati i rojes, Arjan Sala.
Kreu i Shtetit iu ka bërë thirrje institucioneve të lënë aktivitetin politik dhe të marrin përgjegjësitë sipas ligjit dhe të kryejnë detyrën.
Më tej Meta thotë që t’u kërkohet ndihmë vendeve partnere nëse vendi ynë nuk i ka kapacitet për ta menaxhuar këtë situatë.
“Alarm për institucionet shtetërore. Prej pasdites së 24 marsit 2021, një tragjedi e vërtetë po ndodh vetëm 3 km larg nga qendra e Tiranës, në ambientet e një biznesi privat, të përfshirë nga flakët, që ende nuk janë shuar. Sipas të dhënave paraprake një qytetar, me detyrën Përgjegjës i Sigurisë, dyshohet edhe për një shtetas të dytë, kanë mbetur të bllokuar në magazinat e katit të nëndheshëm, ndërkohë që dëmi pasuror i biznesit llogaritet në shifra tepër të larta.
Duke shpresuar, që kjo ngjarje e rëndë të marrë fund me sa më pak pasoja, u bëj thirrje drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, strukturave të Mbrojtjes Civile dhe në veçanti Shërbimit Zjarrfikës të ndërpresin aktivitetet politike, të marrin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit dhe të kryejnë me përgjegjshmëri të lartë detyrën e tyre. T’u kërkohet ndihmë vendeve partnere nëse ne nuk i kemi kapacitet për ta menaxhuar këtë situatë, por qëndrimi duarkryq është i papranueshëm dhe i dënueshëm.
U bëj thirrje të fortë institucioneve shtetërore të reagojnë sa më parë për t’i dhënë zgjidhje të menjëhershme kësaj situate tepër të rëndë dhe me pasoja tepër serioze”, ka shkruar Meta mbrëmë vonë në Facebook.
Kujtojmë se zjarri ka rënë pasditen e së mërkurës, ndërsa ende nuk është bërë e mundur futja brenda magazinës dhe gjetja e rojës së sigurisë Arjan Sala./Opinion.al