Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se rreziku për banorët në fshatin Lekël të Tepelenës tashmë ka kaluar, ndërsa zjarri nuk ka shkaktuar dëme në banesa apo pasoja për jetën e banorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, vatra e zjarrit vazhdon të jetë aktive në dy drejtime të ndryshme.
“Rreziku nga zjarri ka kaluar në fshatin Lekël të Tepelenës, pa shkaktuar pasoja për banorët apo banesat e tyre. Zjarri vijon të jetë aktiv në dy drejtime: poshtë fshatit, në drejtim të fshatit Hormovë, si dhe lart, në faqen e malit të Golikut.
Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren dhe po punojnë me intensitet për izolimin e vatrës së zjarrit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Terreni i vështirë malor dhe temperaturat e larta e bëjnë sfidues operacionin, por autoritetet mbeten të vendosura për të mos lejuar përhapjen e flakëve në zona të tjera të banuara apo me rëndësi natyrore.
Ndërkohë situatë e vështirë paraqitet pranë monumentit të mbrojtur natyror të “Syrit të Kaltër”, një prej destinacioneve më të famshme turistike në jug të Shqipërisë.
Rreth 400 turistë dhe punonjës të parkut janë evakuuar sot atje, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.
Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë në terren, por për shkak të situatës së vështirë ndërhyrja nga toka është e pamundur dhe për këtë arsye po punohet për ndërhyrje nga ajri.
Ndërkohë, për shkak se antenat telefonike ndodhen në zonën ku ka rënë zjarri, kjo ka shkaktuar edhe probleme me komunikimin./tvklan