Nënkryetari i Bashkisë së Delvinës, Filip Xuxi ka përfunduar në spital këtë të mërkurë, më 13 gusht, pas përballjes së tij me zjarret që kanë përfshirë zonën.
Në pamjet që kanë qarkulluar në rrjet, nënkryetari i bashkisë shihet i ulur në një karrige në rrota ndërsa po e transportojnë për në spitalin e qytetit. Në një tjetër foto, ai shihet duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, pas asfiksisë së pësuar, ndërsa në krevatin pranë tij shihet gjithashtu një grua e moshuar me të afërmen e saj që i qëndron pranë.
Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 37 vatra zjarri që janë ende aktive. Mirëpo situata më e vështirë është në fshatin Nartë të Gramshit si dhe në Delvinë, ku janë lëshuar disa urdhra evakuimi për banorët. Në Delvinë, fshati Kasapaj, aty ku ishte edhe nënkryetari Xuxi, po përballet me flakë masive të cilat kanë përfshirë shtëpitë, duke rrezikuar edhe jetën e banorëve.
Disa urdhra evakuimi janë nxjerrë sot nga Ministria e Mbrojtjes, por shumë prej tyre nuk kanë pranuar t’i lënë banesat e tyre./tvklan.al