Enkelejd Alibeaj ka folur këtë të enjte mbi vendimin e tij për përjashtimin nga grupi të 4 deputetëve demokratë, por edhe pas lajmeve për nisjen e mbledhjes së firmave në PD pë shkarkimin e tij si kryetar grupi.
Në një prononcim për gazetarët nga Saranda ai tha se pas largimit të Bashës, është ai drejtues i PD, ndërsa shtoi se është përfaqësues i gjithë atyre demokratëve që kanë vendosur të shkëputen nga periudha tridhjetë e ca vjeçare e politikës shqiptare.
“Gjej rastin të ndodhem mes demokratëve të Sarandës jo vetëm për të festuar por edhe për të diskutuar gjendjen dhe situatën politike së pari në Sarandë, sfidat që na presin, por edhe për zhvillimet lart në qendër. Unë jam drejtues i PD pas shkëputjes së Lulzim Bashës. Unë jam përfaqësues i gjithë atyre demokratëve që kanë vendosur të shkëputen nga periudha tridhjetë e ca vjeçare e politikës shqiptare. Unë e kuptoj fare mirë hallin e atyre që herë pas here bëjnë këto lëvizje agresioni. Eshtë hall i Sali Berishës dhe Edi Ramës. Jam mësuar tashmë me këto etiketime duke më venë në krah të Edi Ramës. Media e ka bërë publike se kush ka qenë bashkë me Edi Ramën. Ata që janë bashkë kanë arsye hallet e tyre personale”-tha Alibeaj.
Kujtojmë se Alibeaj përjashtoi nga grupi i PD-së, deputetët Oerd Bylykbashin, Belind Këlliçin, Tritan Shehun si dhe Agron Shehajn me arsyen se nuk janë distancuar nga dhuna e ndodhur më 8 Janar.