Temperaturat e larta të qershorit duket e shkrinë freskinë e dashurisë reflektuar gjatë dëgjesave nëpër qarqe mes PD dhe PS në Komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale teksa po afron 15 korriku, afati final për t’i çuar kuvendit hartën e re territoriale.
Në sallën e kryesisë së kuvendit në Tiranë ky komision u përfshi në debate të forta, pas ngulmimit të anëtarëve të opozitës për të përfshirë edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë këshillit të Evropës në Strasburg.
Anëtarja Demokrate Ina Zhupa nisi të flasë në komision për protestën por kryebashkiaku i Gramshit, socialisti Besion Ajazi i ftuar në dëgjesë, i kërkoi të dëgjohej për çfarë ishte ftuar, e jo politikë dite me Flamingo brenda.
“Të nderuar kolegë, nuk kam ndërmend as t’ju kërkoj çfarë do flas, as t’ju pëlqej për atë që po flas. Ju mund të prisni. Mungesa e durimit reflektohet në atë sheshin të mbushur me qytetarë. Keni një pushtet vendor që sot nuk ka zë. Vetë po t’i pyesësh, ata të thonë që nuk e kanë idenë se çfarë planesh kanë mbi bashkinë e tyre. Po ti do vendosësh se ca është procedura… rri aty, mbaj vendin si i ftuar”, u shpreh Zhupa.
“Mos i thuaj asnjë të zgjedhuri nga qytetarët ‘rri e mbaj vendin’. Ai atje ka marrë më shumë vota sa ty”, tha Mazniku.
Bashkëkryetari socialist në këtë komision Arbian Mazniku ngulmoi në respektimin e afatit 15 korrik për t’i çuar kuvendit një raport e më pas të jetë po kuvendi të vendosë se çdo bëhet më pas me këtë reformë.
















