Bashkia Sarandë është e radhës, në vazhdën e dorëheqjeve “zinxhir” që pas kritikave e ultimatumit të kryeministrit Edi Rama.
Dorëheqjet e stafit në këtë bashki vijnë një ditë pas atyre në bashkitë Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër e Lushnje.
Në Shkodër, vetëm disa orë pasi drejtorët e Bashkisë dhanë dorëheqjen, kryebashkiaku socialist, Benet Baci, bëri thirrje për të aplikuar në pozicionet e lira të punës.
Në Lushnje, duke marrë për bazë ultimatumin e kreut të qeverisë për reformimin dhe rritjen e performancës së pushteti vendor në vend, ministrja Belinda Balluku u kërkoi dorëheqjen 13 drejtorëve të kësaj bashkie.
Balluku zhvilloi mbledhje dhe me 15 kryetarët e njësive administrative. Edhe këtyre të fundit, u kërkoi dorëheqjen e menjëhershme.
Në Elbasan, dhanë dorëheqjen disa drejtorë e administratorë. Njëjtë edhe në bashkinë e Kukësit.
Kujtojmë se kreu i qeverisë ka urdhëruar “pastrim” të stafit të administratës dhe ristrukturim duke u hapur rrugë emërimeve të reja.
Në mbledhjen e djeshme, 14 korrik, me deputetë e drejtorë të bashkisë Tiranë, Rama vuri theksin te një sërë reformash që do mundësojnë shërbime më efikase ndaj qytetarëve.
Kujtojmë se më herët, dorëheqje masive ka pasur në bashkinë Vlorë, Fier dhe Durrës./tvklan