Beto O’Rourke do të kandidojë në zgjedhjet amerikane të vitit 2020. Sipas asaj që ka deklaruar vetë në televizionin lokal të qytetit të tij El Paso, zyrtarizmi do bëhet në orët në vijim. “Jam i lumtur për atë që El Paso ka arritur gjatë këtyre viteve dhe për atë që përfaqëson. Qyteti është shembulli më i mirë i këtij vendi dhe se çfarë përfaqësojnë njerëzit e tij”, ka thënë O’Rourke.
Beto O’Rourke, i lindur në vitin 1972, është biznesmen dhe politikan nga Teksasi. Ai ka qenë pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve nga viti 2013 deri në janar të vitit 2019, ndërsa më parë ka qenë pjesëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit El Paso. Ai kandidoi për një vend në Senat, por u mund me vetëm 3% nga Ted Cruz, ish kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Gara për Beto O’Rourke brenda Partisë Demokratike do të jetë shumë e vështirë, duke parë se ka sfidantë të tillë si Bernie Sanders, Kamala Harris, Cory Booker apo Elizabeth Warren, duke pritur për ish-zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për të cilin gjithashtu përflitet se do të kandidojë në këto zgjedhje./Opinion.al