Beteja e Turqisë për presidencën duket se do të shkojë në balotazh, me të dy pretendentët të bindur se kanë fituar.
Pas 20 vjetësh në pushtet, Rexhep Tajip Erdogan qëndroi në ballkonin e selisë së partisë së tij duke thënë se ishte i bindur se do të fitonte edhe për pesë vite të tjera.
Për muaj të tërë, partitë e ndryshme opozitare të Turqisë kishin bashkuar burimet e tyre në një përpjekje për t’i dhënë fund një presidenti që e ka zgjeruar pushtetin e tij në mënyrë dramatike që nga një grusht shteti i dështuar kundër tij në 2016.
Zgjedhjet po ndiqen nga afër në Perëndim, sepse zoti Kilicdaroglu ka premtuar të ringjallë demokracinë turke si dhe marrëdhëniet me aleatët e saj në NATO. Nga ana tjetër, qeveria e Presidentit Erdogan me rrënjë islamike ka akuzuar Perëndimin se po komploton për ta rrëzuar atë.
Në orët e para të së hënës, Kilicdaroglu qëndroi në një skenë në selinë e partisë së tij në Ankara, i rrethuar nga aleatët e tij, duke bërë çmos që të dukej optimist.
“Nëse kombi ynë thotë raundin e dytë, ne do të fitojmë absolutisht në raundin e dytë,” tha ai.
Mbështetësit jashtë selisë së partisë brohoritën një nga sloganet e tij, “gjithçka do të jetë në rregull”.
Më herët ai kishte akuzuar me zemërim qeverinë se kërkon të “bllokojë vullnetin e popullit”, duke nisur sfida të përsëritura në bastionet e opozitës.