Dhjetë kandidatë republikanë po kërkojnë emërimin zyrtarisht nga partia e tyre për t’u përballur me Presidentin demokrat Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit 2024. Më poshtë gjeni një listë me kandidatët kryesorë.
Donald Trump
Shtatëdhjetë e shtatë vjeçari Donald Trump, përballet me katër padi penale të veçanta një zhvillim i paprecedentë për një ish-President të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë ai e ka përqafuar këtë fakt dhe ka bërë përpara me kandidimin. Paditë penale në ngarkim të tij i kanë rritur popullaritetin në mesin e republikanëve, duke e bërë atë kandidatin kryesor në garën brenda partisë, me një diferencë të ndjeshme me rivalët e tij.
Zoti Trump i ka quajtur aktakuzat pjesë të një gjueti shtrigash me motive politike që synojnë ta pengojnë atë që të kërkojë një mandat të dytë katërvjeçar, një pohim që Departamenti i Drejtësisë e ka hedhur poshtë. Si një tregues i pozitave të forta të tij brenda partisë, vetëm dy prej rivalëve në debatin e parë presidencial republikan, thanë se nuk do ta mbështesnin atë për të qenë kandidati zyrtar i partisë, nëse do të dënohej nga drejtësia.
Zoti Trump është zotuar të zbatojë kufizime më të ashpra lidhur me imigracionin si dhe ndaj tregtisë me Kinën si dhe të hakmerret politikisht ndaj atyre që ai mendon se i kanë bërë keq. Ish-presidenti gëzon një kontroll të fortë të krahut të djathtë të partisë së tij, por do të përballej me probleme kur bëhet fjalë për të siguruar mbështetjen e të moderuarve dhe të pavarurve në zgjedhjet e përgjithshme, nëse do të siguronte emërimin zyrtar nga Partia Republikane.
Ron Desantis
Pas një fushate të mbushur me probleme teknike që nisi në muajin maj në rrjetin social ‘Twitter’, që tashmë quhet ‘X’, zoti DeSantis ka një qasje edhe më konservatore se zoti Trump për një sërë çështjesh kryesore sociale, si aborti. Por fushata e tij e mirëfinancuar ka hasur në vështirësi për të fituar mbështetje dhe donatori i tij kryesor ka thënë se nuk do t’i japë guvernatorit të Floridës më shumë para, nëse ai nuk miraton një qasje më të moderuar.
Dyzet e katër vjeçari Ron DeSantis, është rivali kryesor i zotit Trump, por renditet pas tij me rreth 40 për qind më pak mbështetje, sipas sondazheve të opinionit publik. Ai ka shkarkuar anëtarë të personelit dhe ka rifreskuar fushatën e tij disa herë që nga muaji maj, por këto hapa kanë bërë pak për të forcuar pozitat e tij. Fushata e zotit DeSantis thotë se është përqendruar tek frenimi i zotit Trump në Ajoua, ku Partia Republikane pritet të mbajë në janar garën e parë në kuadër të emërimit të kandidatit zyrtar të partisë.
Mike Pence
Zoti Pence mbante detyrën e nënpresidentit gjatë administratës Trump. Ai u nda me ish-shefin e tij, për shkak të sulmit të dhunshëm të mbështetësve të zotit Trump ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021. Atë ditë zoti Pence ndodhej brenda në godinë, duke kryesuar procesin e çertifikimit nga Kongresi të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, që shpallte fitues zotin Biden. Gjashtëdhjetë e katër vjeçari thotë se “historia do ta mbajë përgjegjës Donald Trump-in” lidhur me rolin e tij në këtë sulm.
Një konservator i vendosur, Mike Pence, ish-Guvernatori i shtetit të Indianës, po i bën thirrje për mbështetje komunitetit të krishterë ungjillor, por fushata e tij ka pasur vështirësi për të mbledhur para dhe ai ka ngecur në një shifër të ulët në sondazhet e opinionit.
Vivek Ramaswamy
Një ish-investitor dhe drejtues ekzekutiv në fushën e bioteknologjisë, zoti Ramaswamy, 38 vjeç, themeloi një firmë në vitin 2022 për t’i bërë presion kompanive që të braktisin iniciativat mjedisore, sociale dhe sistemin e rregullave, e praktikave me të cilat drejtohet dhe kontrollohet një kompani. Si një kandidat që vjen nga jashtë politikës, ai ka nxitur diskutime në bazë, si një alternativë e mundshme e zotit Trump. Ai është një mbështetës i zjarrtë i ish-presidentit dhe thotë se do të nxirrte një falje presidenciale për zotin Trump, nëse do të fitonte Shtëpinë e Bardhë.
Nikki Haley
Ish-Guvernatorja e Karolinës së Jugut si dhe ish-ambasadorja në Kombet e Bashkuara gjatë administratës Trump zonja Haley, 51 vjeç, ka theksuar moshën e saj më të re krahasuar me zotin Biden dhe zotin Trump, si dhe prejardhjen e saj si vajza e një familje emigrantësh nga India.
Zonja Haley ka fituar një reputacion në Partinë Republikane si një konservatore solide, e cila ka aftësinë për të trajtuar çështjet gjinore dhe ato që lidhen me racës, në një mënyrë më të besueshme se shumë nga rivalët e saj brenda partisë. Ajo gjithashtu e ka paraqitur veten si një mbrojtëse e palëkundur e interesave amerikane jashtë vendit. Por sondazhet tregojnë se zonja Haley ka një mbështetje të ulët njëshifrore në mesin e republikanëve.
Tim Scott
I vetmi senator republikan me ngjyrë në Kongres, emri i tij është pak i njohur jashtë shtetit që përfaqëson, Karolinës së Jugut, por optimizmi dhe përqendrimi i tij tek bashkimi i Partisë së Republikane, e ka ndihmuar atë që të bëjë një dallim të dukshëm ndaj qasjes më agresive të zotit Trump dhe zotit DeSantis.
Mbështetësit e zotit Scott megjithatë, pranojnë se ndërsa sjellja e tij pozitive është një pikë e fortë që mund “të shesë’, ajo mund të mos jetë e mjaftueshme për të fituar. Pesëdhjetë e shtatë vjeçari Tim Scott, ka një 1% mbështetje mes republikanëve, sipas një sondazhi të agjencisë ‘Reuters’ dhe qendrës ‘Ipsos’.
Asa Hutchinson
Ish-guvernatori i Arkansasit nisi garën për Shtëpinë e Bardhë në prill me një thirrje që zoti Trump të tërhiqej për t’u marrë me padinë e tij të parë. Zoti Hutchinson, 72 vjeç, ka thënë se përvoja e tij në drejtimin e shtetit thellësisht konservator, është një provë se ai mund të zbatojë politikat për të cilat interesohen votuesit republikanë, duke përmendur uljen e taksave si dhe nismat për krijimin e vendeve të punës.
Megjithatë, emri i tij mbetet pak i njohur jashtë Arkansasit dhe nuk ka siguruar mbështetje nga republikanët e anketuar nga Reuters/Ipsos.
Chris Christie
Zoti Christie, 60 vjeç, ka shërbyer si këshilltar i fushatës presidenciale të zotit Trump, por u bë një kritik i zëshëm i ish-presidentit pas sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit. Ish-Guvernatori i Nju Xhersit dhe ish-prokurori federal ka shtuar sulmet e tij verbale teksa zoti Trump përballet me katër akuza penale. Zoti Christie gëzon një mbështetje prej rreth 1% në mesin e republikanëve (Reuters/Ipsos).
Dough Burgum
Zoti Burgum, 67 vjeç, po shërben në mandatin e tij të dytë si Guvernator i Dakotës së Veriut, pasi në vitin 2001 shiti biznesin e programeve kompjuterike ‘Microsoft Corp’. Një ithtar i taksave të ulëta dhe më pak rregulloreve, ai përpiqet ta portretizojë veten si një konservator tradicional, duke u përqendruar tek ekonomia dhe siguria kombëtare. Si një nga pretendentët më pak të njohur, ai merr pothuajse zero mbështetje në sondazhe.
Do Hurd
Ish-ligjvënësi Do Hurd është një kritik i fortë i zotit Trump dhe republikan i moderuar, i cili ka përfaqësuar një distrikt kufitar të Teksasit deri në vitin 2020 kur zgjodhi të mos rikandidojë më. Dyzet e gjashtë vjeçari është kandidati i dytë me ngjyrë në garën e republikanëve, krahas zotit Scott dhe ashtu si zoti Suarez, nuk arriti të kualifikohej në debatin e parë./VOA