Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për pezullimin e dekretit të Presidentit Nishani për zgjedhjet në Dibër. Presidenti Bujar Nishani dekretoi datën 11 Shtator për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Dibër, por Partia Socialiste ishte kundër.
Presidenti i Republikës menjëherë pasi u njoftua zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e rrëzimit të kërkesës e ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili për rikthim në detyrë, duke lënë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave për ta shkarkuar pas skandalit seksual ku ai u përfshi, shpalli 11 Shtatorin si datën e mbajtjes se zgjedhjeve të reja lokale në këtë bashki.
Por socialistët pretendojnë se kreu i shtetit është në shkelje të Kushtetutës, pasi duhet të shpallte dekretin vetëm pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të hynte në fuqi, me shpalljen në Fletoren Zyrtare.
Institucioni i Presidentit hodhi poshtë pretendimet e selisë rozë, duke sqaruar se në rast se do të priste shpalljen në Fletoren Zyrtare, presidenti do të shkelte afatet e përcaktuara në kodin zgjedhor, ndërsa bëri të ditur se data e zgjedhjeve është vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe kreu i shtetit dekreton formalisht një nga datat e përcaktuara në vendimin e kësaj gjykate.