Aktualitet

Zgjedhjet/ Kisha Katolike: Merrni pjesë, shitblerja e votës plagë e madhe


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 13:41 - 15/04/21 |
Opi Nion

Kisha Katolike ka reaguar ditën e sotme për zgjedhjet elektorale të 25 prillit, teksa i ka cilësuar ato si të rëndësishme dhe një mundësi konkrete për të shprehur pjesëmarrjen tonë në jetën demokratike të vendit.

“Kisha Katolike i konsideron të rëndësishme zgjedhjet, kur ato zhvillohen sipas parimeve demokratike dhe me pjesëmarrjen e të gjitha forcave e aktorëve politikë. Sikurse edhe në rastet e mëparshme, në vigjilje të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ne Ipeshkvijtë e Kishës katolike, në sajë të përgjegjësisë që kemi në udhëheqjen e popullit që na është besuar, dëshirojmë t’u drejtohemi të gjithë besimtarëve katolikë dhe njerëzve vullnetmirë.

Jemi të vetëdijshëm që të zgjedhurit e rinj do të ndodhen përballë sfidave të ndryshme. Fillimisht, pandemia e COVID-19-ës që vendi ynë po kalon. Një falenderim duhet t’ua japim të gjithë punonjësve të shëndetësisë: mjekëve, infermierëve, sanitareve dhe gjithë pjesës tjetër të personelit shëndetësor, si dhe familjarëve të të sëmurëve, të cilët ndonëse duke rrezikuar, kanë punuar ditë e natë përkrah tyre. Porse, nga ana tjetër, kërkohen strategji të mirëfillta psiko-sociale që të dalim faqebardhë nga kjo pandemi. “- thuhet në njoftimin e Kishës Katolike për mediat.

Ndërkohë që po sipas Kishës Katolike në rrafshin politik është e domosdoshme produktiviteti i reformës në drejtësi dhe forcimi i mëtejshëm i institucioneve.

“Në rrafshin politik, është urgjente që reforma në drejtësi, aktualisht në letër, të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur. Forcimi i mëtejshëm i institucioneve dhe efektiviteti i tyre, përbën një detyrë primare për të zgjedhurit e ardhshëm në Parlament.

Në rrafshin social, nuk mund të mos evidentojmë plagën e madhe të të rinjve dhe të familjeve të reja që po e braktisin Shqipërinë. Është e nevojshme një përkujdesje e veçantë ndaj të gjitha zonave të vendit, nga Veriu në Jug, në zonat rurale e në zonat urbane, ku shpeshherë vërehen situata ekstreme varfërie, mungesë infrastrukture dhe shërbimesh të domosdoshme, sidomos rrugë e shërbime shëndetësore.

Më pas, na shqetëson niveli i mësimdhënies në shumë zona të vendit si dhe kushtet e jetesës në disa fasha të popullatës. Shumë familje akoma po vuajnë pasojat e tërmetit të vitit 2019 një prioritet me siguri se duhet të jetë rindërtimi, që ka nevojë të përparojë me ritme akoma më të shpejta.

Shqipëria mund të ketë një të ardhme të mirë nëse angazhohemi të gjithë së bashku, qytetarët e politika aktive.

Nevojitet një angazhim i të gjithëve për të eliminuar korrupsionin, që sikurse e kanë nënvizuar edhe në ditët e kaluara institucionet ndërkombëtare, mbetet sërish një grackë e rrezikshme në institucionet dhe në shoqërinë tonë në përgjithësi.

Një tjetër sfidë, me gjithë hapat e bërë përpara në 30 vitet e fundit, mbetet integrimi europian i Shqipërisë.

Në vigjilje të zgjedhjeve, pra ne, Udhëheqësit Shpirtëror, do donim para së gjithash t’i ftonim të gjithë të merrnin pjesë në këtë moment të jetës demokratike të vendit. Sipas Doktrinës Shoqërore të Kishës, është një detyrë dhe një e drejtë e çdo qytetari për ta ushtruar sipas ligjeve në fuqi dhe me liri të plotë. Prandaj, pjesëmarrja në votime, është një detyrim moral pavarësisht preferencave që secili do të shprehë.

Së dyti, ashtu sikurse e kemi ritheksuar edhe në deklarata të mëparshme, fenomeni i shitblerjes së votës është një plagë e madhe që duhet të zhduket medoemos, në çdo rast. Kush e shet votën me para, ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes, si dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari. Po ashtu, kush e blen votën me para, duke përfituar nga varfëria e votuesve, nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon që të votohet. E papranueshme më pas është fakti që, bashkëngjitur shitblerjes së votës, i shtohet edhe betimi në librat e shenjtë. Gjithashtu është e papranueshme që votimi të vijë nën formën e kërcënimit ose pas premtimeve të vendit të punës. Puna është fryt i meritokracisë dhe jo i partitizmit ose kahjes partiake.”- citohet gjithashtu në njoftim.

Kujtojmë që na ndajë pak ditë larg zgjedhjeve elektorale ku shqiptarët do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlament, teksa fushata elektorale është duke u zhvilluar nga palët politike./Opinion.al

Pas