Angazhimi në një betejë kundër plastikës është një fokus i mazhorancës socialiste. Në fjalën e tij përmbyllëse në mbledhjen e grupit parlamentar, Rama tha se kjo mund të arrihet vetëm me vetëdijësim dhe e gjithë PS do të angazhohet.
“Kjo nuk bëhet me polici, kjo nuk bëhet me inspektime, kjo nuk bëhet me gjoba, kjo bëhet me vetëdijësim. Partia Socialiste do të angazhohet e gjitha në një betejë qytetare dhe vullnetare kundër plastikës, kundër shisheve plastike, kundër qeseve plastike. Një betejë shumëdimensionale sepse duhet ta bëjmë”, tha Rama.
Gjithashtu, në Asamblenë e ardhshme të PS që mbahet në pranverë, do të nisë fushata e re e anëtarësimeve në parti. Duke ironizuar kundërshtarët, Rama tha se ndërsa ata merren me humbjen, PS sheh drejt fitores së radhës duke cituar zgjedhjet e 2027.
“Paralelisht me këtë, në Ansamblenë e ardhshme do të lançojmë edhe fushatën e re të anëtarësimeve në Partinë Socialiste që do të jetë fushata e pranverës. Historikisht ndodh kjo, kur të tjerët merren me humbjen e shkuar, ne merremi me fitoren e radhës. Kemi zgjedhjet në 2027 dhe nëse gjërat do të vazhdojnë kështu dhe nëse ata vazhdojnë të besojnë që ne do të biem nga shiu, nga bora apo nga proceset e drejtësisë, rruga e të cilave është hapur prej nesh dhe garantohet prej nesh, ata le të jetojnë me këtë shpresë se në 2027 do të habiten kur të mbeten dhe pa ato 5-6 bashki që i kanë sot”, tha Rama.
















