Aktualitet

“Zëri i Amerikës”- Intervista e plotë/ Eduard Selami: Basha më ka zhgënjyer. Nuk ngjall shpresë


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 02:00 - 26/11/15 |
b.f

Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Selami dhe një nga nismëtarët e parë të krijimit të kësaj partie ka lëshuar një deklaratë të fortë sonte në studion e lajmeve të “Zerit të Amerikës”, duke sulmuar direkt kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Selami ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj mënyrës se si Basha po bën opozitë. Po çfarë tha Selami në studion e Zërit të Amerikës. “Lidershipi i ri aktual i PD­së më ka zhgënjyer mua dhe pjesën më të madhe të PD­së që duan ta shikojnë dhe njëherë Partinë Demokratike si partinë e shpresës për shqiptarët.

Fatkeqësisht nuk kemi arritur që të ngjallim shpresë. Lidershipi i sotëm i opozitës, i Partisë Demokratike nuk ngjall shpresë. Megjithëse u premtuan vendet e punës, shqiptarët po ikin nga sytë këmbët, me mijëra me dhjetëra mijëra. U premtua arsimi, është më dobët se kurrë. Të gjitha premtimet nuk janë mbajtur. Është një nga qeverisjet më të këqija. Por fatkeqësisht lidershipi aktual i Partisë Demokratike nuk ngjall shpresë dhe besim.”, tha Selami.

Ja intervista e plotë e dhënë nga deputeti i Partisë Demokratike Eduard Selami në Zëri i Amerikës

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, Shqipëria ndodhet në një periudhë, ndodhet përballë shumë sfidave që ajo i kishte edhe 25 vjet më parë, është e kotë ta themi por institucionet demokratike janë të dobëta, ka probleme në respektimin e të drejtave të njeriut, korrupsioni mbizotëron në të gjitha nivelet dhe pyetja ime natyrshëm për ju është: Si e mendonit Shqipërinë 25 vjet më parë dhe si e mendoni atë sot?

Selami: Nuk mendoja kurrë që 25 vjet do të kalonin dhe Shqipëria do të kishte akoma probleme të cilat janë probleme të kuptueshme për pak vite në demokraci sesa tani. Pata rast edhe përpara disa javësh të isha në fondacionin Konrad Adenauer dhe theksova mendimin që fatkeqësisht Shqipëria gjatë këtyre 25 viteve nuk është një histori suksesi. Thashë që është në rrugën e drejtë se nuk mundet dot që të argumentohet që rruga e demokracisë, rruga e lirisë, rruga e Europës nuk është rruga e drejtë por nuk është në drejtimin e duhur sepse nuk ka krijuar institucione demokratike, nuk ka sistemin e drejtësisë, ka probleme të mëdha me korrupsionin, ka probleme të mëdha me inkriminimin. Ekonomia vuan dhe prapë është një nga vendet më të varfra, kështu që për mendimin tim, këto 25 vjet nuk janë shfrytëzuar ashtu siç duhet nga shqiptarët dhe përgjegjësiaq kryesore i bie elitës politike.

Zëri i Amerikës: Ndërkaq ju jeni një i brendshëm i Partisë Demokratike. Si shpjegohet që ka kaq pak demokraci në partitë politike në Shqipëri duke përfshirë edhe partinë tuaj. A ka korrupsion brenda partive? Brenda udhëheqjes e kam fjalën…

Selami: Mendoj që partitë politike fatkeqësisht që janë organizatat ndër më kryesoret, sidomos në problemin e institucionalizimit të lirisë që është demokracia, në Shqipëri kanë shkuar në drejtimin e gabuar. Ka më pak hapësirë dhe demokraci sot në partitë politike sesa në fillimin e saj dhe ky është një drejtim i cili është mjaft shqetësues. Unë mendoj që Shqipëria është një republikë partiake, ku partitë janë institucionet më të fuqishme, i cili është një problem mjaft i madh për Shqipërinë por dhe vetë partitë janë thjeshtë prona personale të drejtuesit që nga vendimmarrja, nga përzgjedhja e politikave, nga gjithçka tjetër dhe ky është një problem mjaft shqetësues për politikën shqiptare, problem i cili është në të gjitha krahët dhe që po vjen duke u përkeqësuar 

Zëri i Amerikës: Shumë interesant konstatimi juaj. Prona private të udhëheqësve thatë? Mund ta sqaroni më shumë këtë koncept se çdo të thotë pronë private në këtë kuptim? 

Selami: Personale sesa private. Unë kam shumë respekt për pronën private dhe ne jemi në një vend (SHBA) ku prona private është në krye. Personale ka dallim. Ato thjeshtë nuk trajtohen si prona private por personale ku drejtuesi pasi merr mandatin dhe mënyra e marrjes së mandatit është e kontestueshme, pastaj nuk pyet më njeri. As institucionen, as strukturat, as vendimmarjet si  për probleme të vogla ashtu dhe për probleme të mëdha. Kjo është në të gjitha, për të gjithë ata që e ndjekin dhe e njohin Shqipërinë sadopak, mendojnë që e kuptojnë fare qartë se çka unë po them  

Zëri i Amerikës: Udhëheqësit dhe deputetët nuk merren me problemet. 

Selami: Pikërisht. Po ta shikosh me kujdes, nga 2008 janë ata që vendosin dhe kur ngrihet zëri me të drejtë për dekriminalizimin, pyetja që del është pse i vutë atje? E dyta, kur flitet për dekriminalizimin e njerëzve që kanë bërë krime shumë të rënda, brenda dhe jashtë Shqipërise, ka mjaft krime të tjera të cilat mbahen dhe nuk kanë shkuar në gjykatë akoma dhe kur flitet për reformë në drejtësi, krerët e partive, janë ata të cilët e kanë mbajtur peng sepse nuk duan që të japin llogari dhe kanë promovuar kulturën e mosndëshkimit.

Zëri i Amerikës: Meqënëse ju jeni deputet i Partisë Demokratike, një nga detyrat e opozitës, më duket është që t’u japë njerëzve në shoqëri për të ardhmen e tyre por më duket se këtë nuk po e realizon dot partia Demokratike?

Selami: Megjithëse ne kemi një nga qeverisjet më të këqija të këtyre 25 viteve me Kryeministrin aktual, me Ramën dhe me bashkëpunëtorin e tij Meta, unë mendoj përsëri se fatkeqësisht nuk kemi arritur që të ngjallim shpresë. Lidershipi i sotëm i opozitës, i Partisë Demokratike nuk ngjall shpresë. Megjithëse kemi, u premtuan vendet e punës? Shqiptarët po ikin nga sytë këmbët, me mijëra, me dhjetëra mijëra; u premtua arsimi? Është më dobët se kurrë; Po kështu reforma në drejtësi, të gjitha premtimet nuk janë mbajtur. U premtuan reforma të thella… nuk bëhet fjalë fare. Është një nga qeverisjet më të këqija por fatkeqësisht ju keni të drejtë, bashkohem me konstatimin tuaj që lidershipi aktual i PD nuk ngjall shpresë dhe besim. 

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, me sa duket ju i përkisni grupit të pesimistëve që nuk janë pak, janë shumë. Ç’mendoni për çështjen e dekriminalizimit të parlamentit? U arrit një marrëveshje kohët e fundit midis dy partive kryesore, a keni besim tek kjo marrëveshje?

Selami: Nuk kam qenë asnjëherë pesimist dhe tani nëse tingëlloj pesimist po bëj një analizë për 25 vjet të realitetit të demokracisë shqiptare dhe në këtë pikë mendoj që edhe hapat që u bënë për dekriminalizimin, janë hapa në drejtimin e duhur por janë shumë pak dhe shumë vonë dhe nuk janë të thelluara dhe pikërisht ata që e kanë shkaktuar këtë dhe akoma vazhdojnë, ky dekriminalizim pa zgjidhjen e reformës në drejtësi është thjeshtë një formalitet dhe dhe reforma në drejtësi pa forcimin e institucioneve të pavarura është një formalitet dhe reforma e institucioneve të pavarura, forcimi i institucioneve të pavarura pa demokracinë e brendshme të partisë dhe pa një kulturë të re dhe pa një elitë politike që të jetë në të njëjtin hap me pjesën tjetër të perëndimit, për mendimin tim janë formalitete, janë gjëra të pamundura dhe do të japin këtë rezultat siç kanë dhënë deri tani, shumë pak, shumë vonë dhe një demokraci anemike, ku shumica e shqiptarëve mezi presin të largohen nga Shqipëria dhe nuk e shikojnë të ardhmen e tyre atje. Le të marrim një rast të tillë. Ata që kanë lindur në fillimet e demokracisë, në vitet ’90, edhe në rastin më të mirë, janë në shkollë, kanë investuar tek vetja, familja investon tek këta, janë të rinj, 18-22 vjeç; nga 10 prej këtyre, 7 nuk kanë vend pune me statistikat e tanishme. Ja po i ulim pak, përsëri janë shifra mjaft të larta. Për të mos folur pastaj se ata punësohen jo aty ku e kanë vendin e tyre.

Zëri i Amerikës: Edhe në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit që kanë qenë në të njëjtën situatë…

Selami: Me ato po e krahasoj. Me vende të tjera si Europa dhe këtu në Amerikë, vende të bekuara ku njerëzit punojnë dhe qeveritë punojnë për popullin, nuk bëhet fjalë fare. Kështu që në këtë pikë unë mendoj që nuk bëhen përpjekjet e mjaftueshme për këto gjëra. Ky realizëm i imi, kjo përgjegjësi si një nga pjesëmarrësit, kjo përgjegjësi si një njeri që ka vendosur për të dhënë diçka nga koha e tij prapë prapa pas një shkëputje të gjatë në Shqipëri, këtë unë e shikoj me shqetësim.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, jam i sigurtë që partia juaj ka bërë një farë analize për humbjen në vitin 2013. Në ç’frymë është bërë kjo analizë dhe a ka një konkluzion të qartë nga ajo që është diskutuar? 

Selami: E përgjithshme dhe e sipërfaqshme. Ato gabime që na sollën në 2013, u përsëritën përsëri në 2015. Nuk ka qenë një analizë e thellë, nuk është një analizë e thellë realisht sepse nuk i drejtohet problemeve kryesore dhe për mendimin tim dhe lidershipi i ri aktual i Partisë Demokratike, më ka zhgënjyer mua dhe pjesën më të madhe të Partisë Demokratike që duan ta shikojnë edhe njëherë Partinë Demokratike si parti e shpresës për shqiptarët, që kësaj qeverisje të keqe, nga më të këqijat që po jep kjo qeveria Rama-Meta, ne kishim një shpresë që për 1 vit, për 2 vjet të ishim ata që i jepnim një drejtim tjetër. Nuk po arrihet kjo gjë. Qeverisje të këqija Shqipëria ka patur edhe më përpara. Dhe qeveria Nano në 2003-2004 ka qenë nga më të këqijat por opozita e atëhershme arriti që të ngjallë shpresë, erdhën në pushtet, fillimi qe i mirë, pastaj gjërat nuk ecën ashtu siç duhet.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, është proverbial mosbashkëpunimi i partive kryesore politike në Shqipëri. Ç’do të ndodhte përshembull në rastin e një sulmi terrorist, në rastin e një ngajrjeje të skajshme në Shqipëri? A do të bashkëpunonin dot këto parti? A janë të përgatitura ato?

Selami: Besoj që po. Kur janë gjëra të tilla ekstreme besoj që po, por kjo s’është e mjaftueshme. Bashkëpunimi duhet i përditshëm. Elita politike duhet të kuptojë që është atje në radhë të parë për qytetarët, t’i shtojë oportunitetetet, ëndrrën e shqiptarëve, i ka lënë shqiptarët fatkeqësisht pa një Shqipëri demokratike ku nuk e shikojnë të ardhmen aty, është një elitë e paaftë me standardet bashkëkohore perëndimore, është një elitë thellësisht e korruptuar e thënë kjo dhe nga vet ata dhe është një elitë, guxoj të them dhe e inkriminiuar dhe kjo është një problem shumë serioz për demokracinë në Shqipëri.

 

KOMENTO (4)

Shkruaj nje koment

  1. Albani ka te drejte. Z. Selami duhet ta drejtonte sot PD-ne. Eshte i drejte konstatimi lidhur per angazhimin e paket te z. Selami ne foltoren e Parlamentit. Por per cfare parlamenti behet fjale??? Parlament e quani ju kete??? Ky parlament qe pritet te dekriminalizohet, a eshte ne standartin e z. Selami? A ja vlen te flasesh ne kete parlament? Ky parlament nuk ka mesues por ka nxenes rrugace dhe te keqinj. Nuk ka mbrojtes te ligjit por dhunues te tij dhe burgaxhinj. Ky parlament nuk eshte zgjedhur nga votat e popullit por nga kryetaret e partive. Apo e kam gabim. Prandaj z. Selami, kam mendimin se nuk e ul veten deri aty sa te debatoje me nxenes te keqinj, me hajdute, xhepista, kriminele dhe burgaxhinj. Askush nuk pret qe nje e folur apo nje sherr ne parlament t’i ngreje reputacionin dhe personalitetin z. Selami. A ka kush ta akuzoje ate per ndonje afere apo pisllik, sic eshte edhe gjysma e opozites se sotme? Nese neser z. Selami del ne fushate si kryetar i opozites dhe i kerkon votat popullit, per cfare do ta shaje pozita dhe Rama? Sigurisht, si gjithmone, qe vetem do ta shajne me stilin e te rrjedhurit Andrea Stefani, per Berishen dhe fajet e qeverise se tij te meparshme, per Bashen dhe hajduterite e tij. Sigurisht qe pozita e sotme do te vihej shume ne veshtiresi perballe PD-se se z. Selami. Kjo nuk do shume inteligjence per ta kuptuar.

  2. Duke degjuar neper mjediset e PD-se diversitete komentesh dhe mendimesh dhe duke shpresuar qe komentuesit dhe mendimtaret te jene pjese e atyre qe kerkojne Ringjalljen e PD-se, ndihem i keqardhur per shprehjet qe degjoj ne drejtim te z. Eduart Selami. Per dijenine e atyre qe nuk kane qene pjese e Levizjes se Dhjetorit, te atyre qe e kane pare te frikesuar skutave ate Levizje, qe solli krijimin e PD-se si forca politike e shpreses se madhe te shqiptareve brenda dhe jashte vendit, z. Selami ka qene nje nga kontribuesit dhe frymezuesit kryesore te asaj levizjeje dhe te asaj partie. Nderkohe qe Luli dhe plot lulusha te tjere sot, akoma flinin me mamate. Z. Selami eshte lideri per te cilin, sot me shume se kurre, ka nevoje jo vetem PD-ja per t’u ringjallur, por kane nevoje te gjithe shqiptaret per te ringjallur shpresen e tyre. Me Lulin dhe ata lulushet qe e rrethojne, sot PD-ja eshte me e dobet se kurre, ajo nuk jep shprese, ajo nuk eshte demokrateve te vertete, ajo nuk eshte e besueshme tek pjesa gri e votuesit shqiptar, ajo eshte ashtu sic thote Selami, eshte personale dhe per interesa te ngushta dhe aftshkurtera klanore. Mjer ata qe nuk e kuptuan nje here z. Selami. Dikush thote qe Selami iku ne 1997, genjen. Ne 1995-1997 kryetar i PD-sa ishte z. Tritan Shehu, te cilit i futen preshin ne Lushnje. Selami iku ne SHBA ne 1995, iku pasi z. Berisha e zhveshi dhe ç’fuqizoi nga te gjitha funksionet. Ate dhe plot te tjere idealiste si ai, kundershtaret e vertete te komunizmit, demokratet e vertete. Pasi PD-ja u spastrua nga demokratet e vertete dhe u mbush me ish-sigurimsa, ish-komuniste, me legena, me persona pa integritet, te degjeneruar dhe ish-spiuna, u degjenerua, humbi ne menyre te turpshme dy here radhazi dhe u katandis ashtu sic e shohim sot, drejt shperberjes, drejt fundit. Z. Selami ishte shpresa e vetme per ringjalljen e PD-se, pasi ate nuk ka kush ta shaje dhe per cfare ta shaje, nuk ka kush ta akuzoje per vjedhje, korrupsion, maskaralleqe, as nga e majta dhe as nga e djathta. Ai nuk ka patur asnjehere funksione administrative dhe qeveritare. Ka vetem mllefe qorrash dhe injorantesh, idiotesh, te paaftesh, frikacakesh, hipokritesh dhe servilash te Lulushit. Z. Selami eshte nje aset i vyer i PD-se. Me z. Selami ne krye te PD-se qeveria e sotme, me e keqja qe ka pare historia shqiptare, do ta ndjente veten te humbur dhe te thyer keqazi. Mjere ata qe nuk e kuptojne kete, mjere ata qe nuk kane sy ta shikojne. Askush me shume se z. Eduart Selami nuk e meriton te vihet ne krye te PD-se. Kjo duhet te ndodhe sa nuk eshte vone. PD-ja duhet te filloje menjehere zgjedhjen e kryetarit duke perdorur metoden 1 anetar 1 vote. Luli nuk jep shprese, me ata PD-ja te pergatitet per humbjen e radhes, me te turpshme se dy te parat.

  3. Opozita nuk behet vetem nga Basha por se shumti nga deputetet te cilet ngrohin karrigen. Edhe Z. Selami eshte apatik ne media, nuk denoncon keqqeverisjen Rama!

  4. Njerzit nuk kthehet sepse kane ndryshe are mendje as se jane bere pishman. Ata kthehen qe te te godasin perseri bile me fuqishem se here e pare

Pas