Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje zyrtarëve që të mos flasim më me gazetarët për taktikat ushtarake që po ndjek Ukraina kundër ushtrisë ruse.
Një zyrtare e lartë e Ministrisë së Mbrojtjes njoftoi se është hapur një hetim lidhur me rrjedhjen e informacioneve.
“Nuk është koha për gjëra të kota dhe për deklarata të zëshme. Sa më pak detaje të zbuloni për planet tona të mbrojtjes, aq më mirë do të jetë për zbatimin e atyre planeve”,- tha Zelensky, gjatë një videoje në orët e vona të 11 gushtit.
Sipas Zelenskyit publikimi i taktikave ushtarake është veprim i papërgjegjshëm.
“Nëse dëshironi që Ukraina të fitojë duhet të jeni të vetëdijshëm se jeni përgjegjës për çdo fjalë që thoni për planet e Qeverisë sonë për mbrojtje apo kundërsulme”, tha ai.
Deklaratat e Zelenskyt vijnë teksa një seri shpërthimesh kanë ndodhur gjatë kësaj jave në bazën ajrore ruse në Krime. Shpërthimet kanë shkatërruar të paktën tetë avionë luftarakë rusë që ishin në bazën ajrore në Krime.