Një tjetër patentë e suksesshme e “Endemol”, “Your Face Sounds Familiar”, do të fillojë shumë shpejt transmetimet e tij në Shqipëri. Pas “Dance With Me” Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu, do të nisin një tjetër projekt televiziv në Tv Klan.
“Your Face Sounds Familiar” është një talent show, i cili ka filluar për herë të parë në Spanjë dhe ka protagonistë personazhe të njohur të botës së spektaklit (aktorë, këngëtarë, personalitete televizive, sportistë etj), të cilët do të prezantojnë para një jurie profesioniste performanca të yjeve të ndryshme të muzikës.
Ata do të “maskohen” si këngëtarë të njohur dhe do të përpiqen jo vetëm të këndojnë por edhe të përshtaten në fizik, në moshë dhe gjini si ata. Një juri profesioniste do t’i vlerësojë artistët vetëm për mënyrën e të kënduarit, por edhe për interpretimin e tyre skenik.
Por cilët do të jenë vipat që do të marrin pjesë në këtë spektakël?! Ata do të jenë 14 dhe deri tani është zbuluar vetëm njëri prej tyre. Ajo është këngëtarja, Rozana Radi e cila është e njohur për imitimet e saj. Lajmin e ka konfirmuar vetë Alketa Vejsiu, mbrëmë gjatë finales së Dance With Me, pas kërcimit përshëndetës të Rozana Radit dhe Sabri Fejzullahut, fituesve të edicionit të parë të këtij spektakli.