Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra disa drejtues në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe ka nisur hetim disiplinor për punonjës të tjerë, pas zbulimit të një sasie të madhe bimësh narkotike në territorin e Velipojës.
Sipas njoftimit zyrtar, në fshatin Reç i Ri, Njësia Administrative Velipojë, u konstatuan të kultivuara 7446 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa, shkruan A2CNN.
Pas këtij rasti, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të:
Kryekomisar Bekim Lika, Shef i Komisariatit të Policisë Shkodër
Nënkomisar Zef Marku, Shef i Stacionit të Policisë Velipojë
Inspektor Samet Kadroji, Ndihmës/specialist SPZ, përgjegjës për zonën ku u gjetën bimët narkotike
Po ashtu, ka nisur hetim disiplinor edhe për dy punonjës të tjerë policie, pjesë e grupit të kontrollit të territorit, pa masë pezullimi nga detyra.













