Policia e Shkodrës ka goditur tre ambiente ku kultivohej kanabis me llamba në Malësinë e Madhe. Mësohet se në pranga për kultivimin e këtij kanabisit kanë rënë dy kushërinjtë, Lazer Pepaj dhe Sander Pepaj. Po ashtu është shapllur në kërkim edhe 33-vjeçari Kristjan Pepaj.
Gjithashtu janë ndaluar edhe 4 punonjësit e OSSHE-së, Gëzim Hoxha, Lodovik Vulaj, Xhuljano Çeraj dhe Adil Selmanaj, pasi akuzohet nga autoritetet se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në ambientet ku kultivohej kanabis.
Gjithashtu janë marrë nën hetim një 57-vjeçar dhe një 41-vjeçare pasi akuzohen për shpërdorim detyre.
Policia bën me dije se nga kontrollet në tre ambiente, dy banesa dhe një stallë, u gjetën 1110 bimë të dyshuara kanabis, 1 kg e 800 gramë lëndë narkotike kanabis në proces tharjeje, 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 veltinatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë.
“Në vijim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së DVP Shkodër dhe me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.
Në këtë kuadër u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Neonët”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit S. P., 48 vjeç, L. P., 69 vjeç (kushërinj), si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. P., 33 vjeç, të tre banues në fshatin Lulashpepaj.
Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit G. H., 57 vjeç, banues në fshatin Balshaj; L. V., 34 vjeç, banues në fshatin Aliaj; Xh. Ç., 24 vjeç, banues në fshatin Zagorë; dhe A. S., 57 vjeç, banues në Koplik, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, pasi dyshohen se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në disa ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. H., 57 vjeç, banues në Bajzë, dhe A. H., 41 vjeçe, banuese në Shkodër, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim.
Nga kontrollet në 3 ambiente (2 banesa dhe një stallë) në fshatin Hot, të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1110 bimë të dyshuara kanabis, 1 kg e 800 gramë lëndë narkotike kanabis në proces tharjeje, 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 veltinatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit K. P.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Juridiksion të Përgjithshëm, Shkodër, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.”, thuhet në njoftimin e policisë.

















