Ylli Shehu, kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim që mori dje mandatin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbërritur në Parlament rreth orës 9:00, një orë para fillimit të seancës. Ai ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat, ku ka thënë se mandati është i tiji dhe se nuk ndihet tradhtar.
“Nëse më përjashtojnë është e drejta e tyre, mandati është i imi. Po të ndihesha tradhtar nuk do të isha këtu. Nuk mund të tradhtoj mijëra qytetarë që më kanë votuar. Vota ime do të jetë në opozitë, nuk jam pjesë e strukturave të LSI-së, që të di nëse do të më përjashtojnë nga grupi”, ka thënë Ylli Shehu. Në seancën e sotme do të betohen katër deputetët të rinj të LSI-së.
Ylli Shehu ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 2013-2017, fillimisht me Partinë Republikane e më pas me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ai zëvendësoi në listën e Tiranës Floida Kërpaci./Opinion.al