Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim zyrtar me homologun grek, Nikos Dendias në Athinë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaçka shkruan sedy ministrat kanë pasur një diskutim konstruktiv lidhur me aspektet e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi.
Xhaçka thotë më tej se ka ndarë me Dendias të njëjtin vizion për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe të rajonit në tërësi.
“Kënaqësi të takoja homologun tim Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Patëm një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona Shqipëri-Greqi. Mirënjohje Ministrit Dendias për rolin e tij në thellimin dhe zgjerimin e partneritetit midis dy vendeve tona dhe mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE. Ndamë të njëjtin vizion dhe dëshirë për të ardhmen e marrëdhënieve tona dhe të rajonit në tërësi dhe jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë së bashku në gjetjen e mënyrave të reja për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për të mirën e popullit tonë dhe të rajonit”, shkruan Xhaçka.