A po ëndërroni për pushimet tuaja verore të vitit 2026 dhe po kërkoni destinacione në Evropë që nuk janë të mbipopulluara me turistë? Ne kemi përzgjedhur 10 destinacione unike evropiane, perfekte për turistët që kërkojnë përvoja autentike, shkruan Francesca Ferri në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “Wom Travel”.
Nga kryeqytetet e gjalla deri te brigjet e pastra të Mesdheut, duke kaluar nëpër ishuj vullkanikë dhe xhevahiret e Ballkanit, përgatituni të zbuloni vendet magjike ku vera ka një shije ndryshe.
Ekzistojnë shumë destinacione sekrete në Evropë që kanë një trashëgimi të pasur natyrore dhe kulturore, shpesh me kosto shumë më të ulëta se vendet e njohura turistike. Viti 2026 është viti ideal për të vizituar këto vende përpara se ato të preken nga turizmi masiv.
“Wom Travel” e ka renditur Rivierën Shqiptare midis dhjetë destinacioneve alternative evropiane, perfekte për të kaluar pushime verore të paharrueshme.
Riviera Shqiptare
Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet verore më tërheqëse dhe më të përballueshme në Evropë. Bregdeti i saj jugor, që shtrihet për rreth 150 kilometra përgjatë detit Jon, ofron peizazhe që rivalizojnë atë të Greqisë fqinje, plazhe me rërë të bardhë, gjire të fshehura dhe ujëra bruz, të gjitha me çmime të përballueshme dhe me shumë më pak turma vizitorësh.
Qytetet kryesore bregdetare si Durrësi, Vlora dhe Saranda janë pikat ideale fillestare për të eksploruar bregdetin. Durrësi është një qytet i gjallë dhe perfekt për të rinjtë, ndërsa Vlora njihet si perla e turizmit bregdetar falë gjirit të saj spektakolar.
Një nga plazhet më të bukura ndodhet këtu, Plazhi i Gjipesë, një xhevahir i paprekur fshehur midis shkëmbinjve. Saranda, njihet si “zemra e bregdetit”, e cila ndërthur relaksin me zbulimet kulturore.
Vetëm pak kilometra larg ndodhen plazhet e famshme të Ksamilit, me ishujt e tij të ngjashëm me Karaibet. Gjithashtu, turistët mund të vizitojnë parkun arkeologjik te Butrintit, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Për një përvojë më autentike, eksploroni plazhet më pak të njohura si Krorëzi, i arritshëm vetëm nga deti, ose Kakomja, e vendosur në shkurret mesdhetare. Mos humbisni fshatin bregdetar të Qeparosë, ku shtëpitë e lashta prej guri po rindërtohen si hotele butike.
10 destinacionet unike në Evropë për pushime verore në vitin 2026 sipas ‘Wom Travel’
Riviera Shqiptare
Riviera Makarska, Kroaci
Vilnius, Lituani
Talin, Estoni
Roterdam, Holandë
Ishujt Azores, Portugali
Ishujt Skocezë
Mali i Zi
Lubjanë, Slloveni
Bullgari/ Wom Travel

















