Kryesore

Walker: Formoni qeverinë dhe jepni pushim Thaçit, ai tashmë është thinjur


               Publikuar në : 13:04 - 19/01/20 |
Geljano Fataj

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker,  pas takimit që ka zhvilluar me Presidentin e vendit, Hashim Thaçin, ka bërë një prononcim para gazetarëve. Ai ka kërkuar nga partitë politike që sa më shpejt ta formojnë Qeverinë në mënyrë që t’i japin një pushim Presidentit Thaçi.

“Sikurse e dini, unë vij në Kosovë sa më shpesh që mundem dhe mësoj gjëra të reja për këtë vend që e kam përcjellë të rritet për 20 vjet”. Jam shumë krenar me këtë vend, por edhe kritikoj nganjëherë për gjërat që kanë mundur të shkojnë më mirë. Por, jam shumë krenar me Republikën e Kosovës që është sot. Mendoj se Kosova ka nevojë për një Qeveri të re – keni humbur më shumë se 100 ditë dhe shpresoj që nuk do të nevojitet më shumë kohë për ta formuar Qeverinë në mënyrë që Kosova të kthehet në rrugën e duhur. Jepni këtij njeri një pushim [Presidentit Thaçi] – ai tani është i thinjur”, ka thënë ish-ambasadori OSBE-së në Kosovë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kanë zhvilluar tetë takime, ku kanë diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës. Por, marrëveshja nuk është arritur.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më shumë vota, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, pasi u thirr në Hagë./ Opinion.al

 

Pas