Bota

Vullnetarët ukrainas fillojnë të rindërtojnë shtëpitë



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 17:55 - 14/06/22 |
Opi Nion

Autoritetet ukrainase kanë premtuar rindërtimin e vendit të shkatërruar nga agresioni rus. Megjithëse lufta ende nuk ka mbaruar, shumë banorë ukrainas kanë dalë vullnetarë për të ndërtuar shtëpitë e shkatërruara nga sulmet ruse.

“Gjithçka u dëmtua. Por im bir ka rregulluar shumë gjëra. Kam qarë shumë”, thotë Liudmyla Voronina, banore e Irpinit.

Autoritetet ukrainase kanë premtuar të restaurojnë të gjitha ndërtesat e banimit të dëmtuara dhe tashmë kanë caktuar një fond prej 34 milionë dollarësh për këtë qëllim.

“Aktualisht kemi rreth 14 milionë dollarë për restaurimet. Nuk janë të mjaftueshme për të mundësuar kthimin e njerëzve nëpër shtëpitë e tyre”, thotë guvernatori i Kievit Oleksiy Kuleba.

Sipas Shkollës Ekonomike të Kievit, do të duhen mbi 39 miliardë dollarë për të riparuar ndërtesat e dëmtuara në Ukrainë.

Por ka shumë banorë që nuk po presin për këto fonde dhe kanë filluar të bëjnë një pjesë të punës. Një batalion vullnetar rindërtimi i quajtur Dobrobat po jep kontributin e vet. Zëri i Amerikës bisedoi përmes rrjetit Zoom me zotin Victor Andrusiv, bashkëthemlues i projektit Dobrobat.

“Mesazhet e njerëzve që kërkojnë ndihmë shpërndahen përmes aplikacionit Telegram dhe kush ka mundësi del vullnetar për të ndihmuar”.

Nisma Dobrobat ofron një formë aplikimi në faqen e saj në internet. Për vullnetarët ekziston një formular i veçantë, të cilët sqarojnë se si mund të ndihmojnë.

Me eksperiencë të gjatë në ndërtim, Vadym Lavryk formoi një ekip të veçantë në rajonin Sumy. Në 26 orët e para, u regjistruan më shumë se 30 vullnetarë.

“Na ndihmojnë edhe të rejat. Njëra prej tyre është ndoshta 21 vjeçe dhe e imtë. I them shpesh merr nga një tullë dhe jo më shumë. Një grua tjetër vullnetare është inxhiniere. Kemi njerëz nga të gjitha fushat që janë shumë të talentuar”.

Deri më tani, më shumë se 27,000 njerëz kanë dalë vullnetarë për të ndihmuar. Për momentin, projekti Dobrobat është shtrirë vetëm në rajonet e Kievit, në Chernihiv dhe Sumy. Vullnetarët janë të ndarë në ekipe dhe punojnë disa ditë në javë. Kryesisht ata pastrojnë mbeturinat ose restaurojnë ndërtesat e banimit.

“Çatia e prishur e një shtëpie do ta bënte atë strehë të pabanueshme. Por nëse e riparon me kujdes një familje do të kthehej të jetonte përsëri në shtëpinë e tyre”, thotë për Zërin e Amerikës bashkëthemeluesi i nismës Dobrobat Victor Andrusiv

Ndërsa nuk ka mungesë vullnetarësh, ka mungesë materialesh dhe karburanti. Kjo situatë ka bërë që nisma Dobrobat të jetë në kërkim të vazhdueshëm për mbështetës dhe fonde.

Bankat dhe kompanitë teknologjike po ndihmojnë gjithashtu. Themeluesit e projektit Dobrobat po krijojnë një hartë të shtëpive të dëmtuara dhe po kërkojnë mbështetës për çdo projekt.

“Pas vlerësimit të dëmtimeve dhe nevojave për rindërtim, ngarkojmë në faqen tonë të internetit dokumentacionin përkatës, që të mund të shihet nga mbështetës të mundshëm. Në fund, vëmë fotot e projektit të përfunduar dhe të gjitha llogaritë financiare”, thotë bashkëthemeluesi i projektit Dobrobat, Rostyslav Smirnov.

Themeluesit e projektit Dobrobat kanë plane për të shtuar edhe më tej rradhët e vullnetarëve në përpjekjet e rindërtimit në Kharkiv dhe Mykolaiv.

Pas