Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pretendon se ka përplasje SHBA-BE lidhur me faktin se kush do ta udhëheqë “lojën” në dialogun Prishtinë-Beograd.
Kreu i shteti serb, theksoi se pret presion nga fuqitë e mëdha sa i përket zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe pranon se Perëndimi është i qartë për statusin e Kosovës, i cili do të jetë shumë i vështirë për t’u pranuar nga Beogradi zyrtar.
Madje Vuçiç pranon se kjo temë e lë pa gjumë.
“Kosova është e vetmja çështje që më lë pa gjumë, nuk shqetësohem aspak për ekonominë. Mund t’i them popullit tim se do të luftoj edhe më shumë nga sa kam bërë më përpara”, tha presidenti i Serbisë.
Vuçiç kritikoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me kundërshtimin e të emëruarit të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak për të udhëhequr dialogun.
“Nuk mund të tregohem i papërgjegjshëm si Thaçi dhe të them se nuk do t’i përgjigjem thirrjes së Lajçak, Macron apo Merkel, si mund ta them këtë?”, vijoi Vuçiç.
Vuçiç shton se Gjermania, faktori më i fuqishëm Europian kur vjen puna për zgjidhjen e dialogut, ka një qëndrim plotësisht të kundërt me atë të Serbisë pasi Berlini zyrtar nuk do ta ndryshojë ndonjëherë mbështetjen për pavarësinë e Kosovës./Opinion.al