Rajoni

Vuçiç: Rrezikojmë izolimin nëse nuk pranojmë planin franko-gjerman



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 09:49 - 24/01/23 |
Opi Nion

Presidenti i Serbisë,  Aleksandër Vuçiç,  ka deklaruar se Serbia do të përballet me pasoja të rënda, nëse nuk bie dakord me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Në një konferëncë për mediat, Vuçiç dha detaje në lidhje me takimin që ai zhvilloi së fundmi me përfaqësuesit e SHBA, BE, Francës, Gjermanisë dhe Italisë për çështjen e Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Lideri serb deklaroi se në këtë takim Serbisë i është vënë ultimatum që të pranojë planin franko-gjerman, në të kundërt do të përballet me pasoja shumë të ashpra.

“Në fjalinë e dytë më është thënë se duhet ta pranoni këtë plan. Në rast të mospranimit Serbia do të përballet me: ndërprerjen e proceseve integruese, ndërprerjen dhe tërheqjen e investimeve dhe me masat gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike që do ta dëmtojnë Serbinë”, u shpreh Vuçiç.

Sipas Presidentit të Serbisë, “plani de fakto u shndërrua si kornizë e re e bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunojmë për këtë”.

Sipas tij “ky plan është plan i të gjitha vendeve të bllokut, përfshirë edhe atyre që nuk e njohin Kosovën”, duke shtuar se në rast të refuzimit, “për pak ditë do të hiqej regjimi i udhëtimit pa viza dhe do të ndërpriteshin investimet”.

Presidenti serb vuri në pah “mosfuqinë”, e Serbisë për ta përballuar presionin ndërkombëtar dhe bëri një krahasim me vitin 1999 kohën e bombardimeve të NATO-os mbi objektivat serbe. “Millosheviçi kishte besuar se asnjë bombë e NATO-s nuk do të bjerë, sepse ata përreth i kishin thënë se kjo nuk do të ndodhte dhe iu deshën disa ditë për ta kuptuar se bombat po binin nëpër Serbi”, tha Vuçiç duke iu referuar bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe, pasi Beogradi refuzoi marrëveshjen e mbështetur nga perëndimi në vitin 1999.

Të premten e javës së shkuar, pesë diplomatët perëndimorë,  i dërguari evropian për dialogun Miroslav Lajçak, ai amerikan Gabriel Escobar dhe të dërguarit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, nga Prishtina udhëtuan për në Beograd, ku në të dyja qendrat e bënë të qartë këmbënguljen e tyre për një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi./Opinion.al

Pas