Rajoni

Vuçiç: Nuk ka shanse që çështja e targave të zgjidhet para 1 shtatorit



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 14:33 - 30/08/22 |
Opi Nion

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk sheh mundësi që çështja e targave me Kosovën të zgjidhet para 1 shtatorit dhe shtoi se ai beson se Kosova me shumë gjasa do të nisë fushatën për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

“Nuk mendoj se do të ketë shumë sukses në këtë çështje. Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në Bruksel se do të jetë i suksesshëm dhe se serbët do të jenë të interesuar që t’i ndryshojnë targat. Le të shohim, është një proces që do të zgjasë. Nuk ka asnjë shans që kjo çështje të zgjidhet para 1 shtatorit”, deklaroi Vuçiq të martën, më 30 gusht.

Pas ndërmjetësimit të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, më 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për çështjen e dokumenteve të identitetit. Megjithatë, vendimi i Prishtinës për riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Sikurse vendimi i dokumenteve për hyrje-dalje dhe ai për targat u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët ngritën barrikada në veri të Kosovës.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës. Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim.

Vuçiç tha se mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim pas samitit të vendeve të Ballkanit dhe vizitës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe disa përfaqësuesve të tjerë evropianë, por shtoi se atij i duket se aktualisht nuk ka mundësi për përparim.

“Nuk ka dëshirë në Prishtinë për të diskutuar për zgjidhje racionale dhe zgjidhje kompromisi. Ndoshta jam vetëm unë, ndoshta evropianët e dinë më mirë”, tha ai.

Vuçiç shtoi se Serbia është “gjithmonë në anën e së drejtës ndërkombëtare në të gjitha rastet dhe mosmarrëveshjet ndërkombëtare”. Ai tha se e vetmja politikë zyrtare e Beogradit është respektimi i Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha rezolutat ndërkombëtare.

Ndërkaq, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, deklaroi më 29 gusht se çështja e targave është më e vështira për t’u zgjidhur. Megjithatë, ai shtoi se mbetet “optimist” sa i përket mundësisë së zgjidhjes së këtij problemi./REL

 

Pas