Dy ushtarë amerikanë janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në një përleshje në provincën Nangarhar të Afganistanit. Ushtria amerikane ka deklaruar se dyshohet që sulmin e kreu një person me uniform që i përket ushtrisë afgane.
Koloneli Sonny Legget, zëdhënës i forcave amerikane në Afganistan, tha në një njoftim se janë ende në fazën e hetimeve të shkaktarëve të këtij sulmi.
Shah Mahmood Miakhel, kryetar i provincës Nangarhar, më herët kishte thënë se të paktën tre ushtarë afganë janë vrarë nga i njëjti person me uniform të Ushtrisë Kombëtare afgane (ANA).
Ai shtoi se i dyshuari është vrarë dhe se ende nuk dihen motivet e sulmit./Opinion.al/