Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për 37-vjeçarin Olgert Dhimitri, i cili të shtunën vrau më thikë 60-vjeçarin Ilir Kapo.
Mësohet se gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për 37-vjeçarin. Dhimitri është shprehur se është penduar dhe se nuk e mbante mend atë që kishte ndodhur.
“Nuk mbaj mend asgjë, më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur, jam i penduar”, mësohet se ka thënë 37-vjeçari para togave të zeza.
Olgert Dhimitri qëlloi me thikë dhe la të vrarë 60-vjeçarin Kapo. Gjithçka ka nisur pas një sherri verbal, i cili degjeneroi në përplasje fizike dhe më pas në përdorimin e armës së ftohtë.
Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën paradite pranë shkollës “Harry Fultz” në Tiranë.
Pas arrestimit të tij nga policia, Olgert Dhimitri fillimisht nuk ka qenë në gjendje që të japë dëshminë e tij për shkak të efektit të alkoolit. Autori dhe viktima kishin njohje të mëparshme dhe jetonin në të njëjtën lagje./Opinion.al