Policia e Kurbinit ka arritur të identifikojë vrasësit e dy kushërinjve mbrëmjen e djeshme në Laç. Sipas njoftimit të policisë, janë shpallur në kërkim M. B., 25 vjeç, M. B., 23 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin.
“Me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen”, njofton policia.
Mbrëmjen e djeshme në Laç u plagosën rëndë Mikel dhe Jani Jushi, të cilët humbën jetën më vonë në spital prej plagëve të marra.
Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti mes viktimave dhe autorëve ka nisur brenda në lokal, për motive të dobëta. Pas konfliktit dy viktimat janë përpjekur që të largohen, sepse kanë parë që një prej personave me të cilët janë konfliktuar, ka nxjerrë armën.
Autori i ka ndjekur nga pas dhe pavarësisht se janë përpjekur që të fshihen në një rrugicë, nuk kanë arritur t’u shpëtojnë plumbave të pistoletës.
35-vjeçari Mikel Jushi mësohet se është pronar i një lokali në qendër të Laçit, ndërsa viktima tjetër është djali i xhaxhait të tij. Ata u dërguan në gjendje të rëndë drejt Tiranës, por mbërritën pa jetë në spital./Opinion.al