Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë së arrestit me burg për Ilir Çekrezin 26 vjeç dhe babain e tij Naim Çekrezi 56 vjeç me banim në lagjen nr 3 fermë Cërrik.
I pari ka mbërritur në gjykatë Ilir Çekrezi i cili ka deklaruar në një moment “jeta ime mori fund” ndërkohë që është njohur me akuzën e ngritur nga prokurori i çështjes Neritan Hoxha.
Sipas prokurorit Hoxha, nisur nga provat e grumbulluara në vendngjarje, dëshmitë dhe deklarimet e dhëna, ekzistojnë prova se shtetasi Ilir Çekrezi është autor i dyshuar i vrasjes së shtetasit Bajram Shinkolla. Sipas prokurorit ndaj tij rëndon akuza e vrasjes me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 141 dhe 25 të Kodit Penal.
Gjykatësja Idush Maliqi ka pyetur të akuzuarin nëse ai kishte diçka për të thënë. Por ai nuk është përgjigjur. Në vend të tij ka ndërhyrë avokati mbrojtës Bajram Stafa i cili është shprehur se klienti nuk është në gjendje të japë shpjegime.
Më pas gjyqtarja Idush Maliqi e ka cilësuar si të drejtë kërkesën e prokurorit dhe ka dhënë masën e sigurisë së arrestit me burg për Ilir Çekrezin.
Pas tij ka mbërritur në gjykatë i ati Naim Çekrezi. Ai është njohur me akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim nga prokurori i çështjes Neritan Hoxha dhe është pyetur nga gjyqtarja nëse ka diçka për të thënë dhe nëse u përmbahet deklarimeve në polici.
56 vjeçari i është drejtuar gjykatëses se ai nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen. “Mund ta ketë vrarë djali. Nuk jam i pafytyrë të bëj gjëra të tilla”.
Naim Çekrezi ka shpjeguar se është njoftuar pasdite për vdekjen e mikut dhe se ka shkuar atje bashkë me bashkëshorten e tij ku ka qëndruar deri në orën 23.00. Ditën tjetër ka marrë pjesë në varrim.
“Sot ky është turpi më i madh për mua”, ka vijuar ai.
Më pas ai nuk ka pasur asnjë pikë mëshire për djalin. “Djali të gjejë dhe të tregojë se si është e vërteta. Ai është i vdekur, vareni nëse e ka bërë. Më ka turpëruar. Unë kam edhe katër fëmijë dhe sot ata ndjehen shumë keq për mua. Ndaj më lini të lirë”.
Pas kësaj ka ndërhyrë avokati mbrojtës i caktuar kryesisht nga gjykata Ilir Murra. Ai i kërkoi trupit gjykues se nuk ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova që klienti i tij të ketë kryer elementë të veprës penale ndaj duhet të lihet i lirë”.
Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtarja Idush Maliqi e ka cilësuar të drejtë kërkesën e prokurorit dhe ka dhënë vendimin e arrestit me burg edhe për Naim Çekrezin.
Hetimet, djali akuza të atit: Shkoi para meje të sqaronte çështje nderi. E gjeta të vdekur
I ndaluari Ilir Çekrezi lindur në Librazhd më 14.02.1991 e banues në lagjen nr 3 në Cërrik me 8 klasë shkollë akuzohet se ka konsumuar veprën penale të “vjedhjes me pasojë vdekjen e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 141 dhe 25 i Kodit Penal.
Nga veprimet e deritanishme hetimore ka rezultuar se më datë 14 mars rreth orës 16.00 është marrë një njoftim nga salla operative e drejtorisë së policisë së qarkut se në fshatin Shalës është gjetur i vdekur nga nusja e djalit brenda ambienteve të banesës së tij Bajram Shinkolla.
Me marrjen e këtij njoftimi grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer hetimet e nevojshme.
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se në kuzhinë në katin e dytë të banesës është gjendur i vdekur në dysheme shtetasi Bajram Shinkolla.