Detaje të reja janë dhënë nga gazetari Merin Maçi në emisionin “Opinion” në lidhje me vrasjen e ndodhur të martën në Berat, ku 63-vjeçari K.M., vrau me armë thikë Keli Hoxhën pas një sherri banal për kalin.
“S’kemi të bëjmë vetëm me një person problematik, por me një person të dënuar më parë për vrasje. Në vitin 1994 ai është dënuar për një vrasje në Berat, por arriti t’i shpëtojë drejtësisë duke u arratisur në Greqi. Ka qëndruar atje për rreth 20 vite, derisa çështja dhe vendimi penal ndaj tij janë parashkruar, duke i shpëtuar kështu ndëshkimit,” tha Maçi.
Maçi tha se viktima, Keli Hoxha, jetonte prej 14 vitesh në Britaninë e Madhe bashkë me bashkëshorten, dy vajzat dhe nënën e tij, e cila ndodhej pranë në momentin e vrasjes.
“Familja kishte ardhur për pushime në Berat dhe ishte drejtuar drejt zonës së kalasë. Gjatë drekës, në një nga restorantet aty pranë, vajza e vogël pa kalin dhe i kërkoi babait të shkonte të bënin disa foto. Kali ishte i lidhur në një prej pikave ku qëndronte edhe 63-vjeçari. Sipas dëshmive të familjarëve, Mema u ka bërtitur që të mos i afroheshin kalit, dhe më pas ka nisur debati që përfundoi tragjikisht me vrasjen e Keli Hoxhës,” tha gazetari.
















