Rreth 6 orë pas vrasjes së një 42-vjeçari në Kalanë e Beratit, policia lokale ka vënë në pranga autorin e ngjarjes. 63-vjeçari Kristo Mema, i njohur edhe me emrin Kostandin Hoxha, u kap i fshehur në zonën e njohur si “Shpella e Memecit”, pranë Kishës përballë “Urës së Goricës”, pas kërkimeve intensive të forcave të rendit.
Hetimet paraprake tregojnë se ngjarja nisi pas një debati për fotot dhe xhiron me kalë, që Mema ofronte për turistët në lagjen historike “Kala”. Në kulmin e konfliktit, 63-vjeçari goditi me thikë vizitorin Keli Hoxha, që kishte ardhur me familjen nga Tirana për të vizituar qytetin muze.
Godtijet me thikë i shkaktuan 42-vjeçarit plagë të rënda që çuan në vdekjen e menjëhershme të tij. Trupi i pajetë i viktimës u dërgua në morgun e spitalit të Beratit, ndërsa autori tashmë ndodhet në pranga dhe po merret në pyetje.

















