Drejtori i Policisë së Shkodrës, Ervin Hodaj, në një konferencë për mediat këtë të premte dha detaje mbi ngjarjet kriminale që kanë ndodhur së fundmi në qarkun që ai drejton.
Hodaj bëri me dije se është zbardhur vrasja e Zef Gurit dhe plagosjes së djalit të tij, Gjin Guri që ndodhi në Dukagjin.
Policia dyshon se autor është Gjovalin Guri, i cili është shpallur në kërkim, dhe po vijojnë kërkimet në zonat e thella të Dukagjinit për kapjen e tij.
“Për kapjen e shtetasit Gj. G., janë angazhuar strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Reparti Special “RENEA” dhe Njësia Alpine. Aktualisht vijojnë kontrollet në zonat e thella të Dukagjinit”, njoftoi Hodaj.
Dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur pas konflikteve dhe kërcënimeve të vazhdueshme për shkak të zaptimit dhe shfrytëzimit të hapësirave pyjore në atë zonë.
Hodaj bëri me dije ndër të tjera se autori është në lidhje familjare me viktimën dhe të plagosurin.
“Janë lidhje familjare që kanë pasur konflikte edhe të mëparshme. I dëmtuari është person me precedentë të theksuar kriminalë dhe të gjitha këto ngjarje po i analizojmë për të arritur në dokumentimin e plotë të ngjarjes, së plagosjes dhe vrasjes së babait të tij”, tha drejtori i policisë.
Zef Guri, 73 vjeç, u vra mbrëmjen e 27 Shtatorit. Ai po udhëtonte me një kamionçinë në drejtim të Shkodrës kur në rrugë u qëllua me armë. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur djali i tij, Gjini, i cili ndodhet në spital./Opinion.al