Të paktën dhjetë persona janë shpallur në kërkim nga policia greke, pasi dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e tifozit 19-vjeçar grek.
Në kërkim është edhe një 20-vjeçar shqiptar, i cili është person i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e 19-vjeçarit në Selanik më 1 shkurt. Mediat greke shkruajnë se ai është arratisur nga Greqia.
20-vjeçari dyshohet se është bashkëpunëtori i 23-vjeçarit shqiptar, ky i fundit i arrestuar nga autoritetet greke.
Ata goditën me mjete prerëse 19-vjeçarin, një tifoz i skuadrës Aris në Selanik. Ndërsa dy shqiptarët dhe bashkëpunëtorët e tyre të tjerë, grekë e shqiptarë, konsiderohen dhe njihen në Greqi si pjesë e tifozërive huligane.
Sipas mediave greke, 20-vjeçari shqiptar me iniciale D.R. është arratisur drejt Shqipërisë që më datë 2 shkurt. Televizioni “Mega” raporton se i riu u largua nga Greqia një ditë pas sulmit ndaj 19-vjeçarit Alkis, i cili mbeti i vdekur.
Sipas të dhënave, 20-vjeçari kaloi kufirin greko-shqiptar me makinë rreth orës 23:45 të datës 2 shkurt./Opinion.al