Gjykata e Durrësit dënon me burgim të përjetshëm djalin e Pëllumb Metës, Hysen Meta.
49-vjeçari Pëllumb Meta u vra dhe u gropos nga fëmijët e tij. Ngjarja e rëndë u zbulua në Shënavlash në Durrës, më 10 shkurt të vitit 2024.
Vajza, Hygerta Meta, u dënua me 8 vite burgim, Amarildo Meta u dënua me 5 vite, ndërsa e ëma, Blerina Meta, është dënuar me 3 vite.
Prokuroria e Durrësit, kishte kërkuar dënimin me 30 vite burg për Hygerta Metën, vajza e viktimës, me akuzat për “Vrasja pёr shkak tё marёdhёnieve familjare” dhe “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs”. Gjykata vendosi të ndryshojë akuzën për vrasje, duke e zëvendësuar me “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe duke e dënuar me 8 vite burgim.
Pëllumb Meta u vra mesditën e 12 shkurtit 2024 pasi u kthye nga puna. Në kuzhinën e banesës së tij, ai u qëllua me armë nga djali Hysen Meta, ku e pranishme ishte edhe vajza Hygerta Meta. Djali qëlloi 4 herë në drejtim të tij, por u prek nga 3 plumba, 1 në kokë dhe 2 në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pasi vranë babain, motër e vëlla e fshehën krimin duke zhdukur provat si dhe duke groposur kufomën e të atit.
Ata stuktuan vrimën në mur ku kishte përfunduar njëri nga plumbat, si dhe spostuan divanin në të cilin ka qenë i shtrirë viktima. Më pas mbështollën trupin e pajetë të babait, e groposën në kasollen e bagëtive e cila ndodhej disa metra larg banesës dhe më pas kanë vijuar me largimin automjetit nga banesa, zhdukjen e sendeve personale të viktimës si dhe zhdukjen e armës së krimit. Për fshehjen e kufomës dhe të provave ishin të përfshirë edhe vëllai tjetër Amarildo dhe nëna e tyre Blerina.
Pasi zhdukën të gjitha provat, djali Hysen Meta shkoi në Policinë e Durrësit dhe bëri kallëzim me pretendimin se babai i tyre ishte larguar nga banesa. Por deklaratat kontradiktore dhe jo të besueshme në atë kohë, bënë që grupi hetimor i policisë së Durrësit të dyshonte mbiu zhdukjen reale nga banesës të Pëllumb Metës. Pasi u zbardh krimi dhe u arrestuan fëmijët, gjatë gjyqit, vajza Hygerta Meta deklaroi se babain e vrau vëllai Hyseni.

















