Në procesin për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, në seancën e radhës në Gjykatën e Tiranës, u paraqitën për të dëshmuar pesë të mitur, në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen.
Siç raporton Klan News, mes tyre dëshmoi edhe i mituri K.B., i cili ka qenë i pranishëm në vendngjarje, ndërsa familjarët e viktimës kanë pasur pretendime.
Të miturit, sipas parashikimeve ligjore, u pyetën pa praninë e autorit të dyshuar të vrasjes, Mario Përlleshaj. Ndërkohë, ky i fundit, përmes avokatit të tij, deri në këto momente ka mohuar të ketë goditur me thikë Martin Canin, duke pretenduar se ka goditur vetëm Luis Meçen, i cili mbeti i plagosur.
Në seancën e ardhshme pritet të dëshmojnë shtatë persona të tjerë, katër prej të cilëve të mitur, po në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen.
Martin Cani u vra më 18 nëntor të 2024-ës, pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet.