Njolla e gjetur në makinën, e cila dyshohet se u përdor në vrasjen e Gazmend Çollakut, nuk është e të arrestuarit Denis Shtraza.
Burime nga grupi hetimor thanë për Televizionin Klan se, ekspertiza e Mjekësisë Ligjore konfirmon këtë fakt.
Të njëjtat burime saktësojë se Shtraza do të vazhdojë të qëndrojë në burg edhe pse njolla e gjakut nuk i perket atij, pasi ka dyshime se ai ka dijeni dhe rol aktiv mbi rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Çollakut.
Hetuesit nuk bëjnë me dije nëse është zbuluar se kujt i përkasin gjurmët e gjakut që u gjetën në bagazhin e makinës Mercedes ML, që mbrëmjen e vrasjes së Gazmend Çollaku drejtohej nga ish – efektivi i policisë, Ervin Dalipaj.
Shtraza ishte në vendin e pasagjerit, në makinën që kishte në pronësi.
Ish – polici Ervin Dalipaj është shpallur në kërkim. Prej më shumë se një muaji ai është në arrati, por në intervistat e tij, për mediat ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Mbi ish – policit është ngritur akuza e pjesëmarrjes në rrëmbim dhe armëmbajtje pa leje, e njëjta me atë të Denis Shtrazës.
34 – vjeçari Çollaku u rrëmbye në datën 6 Janar në shëtitoren “Taulantia” në Durrës, për t’u gjetur i vdekur një ditë më vonë në fshatin Murqin të Fushë – Krujës./ Tv Klan