Oficeri i Policisë së Tiranës që ndodhej në tavolinë me Elton Çiçën në momentin që ai u ekzekutua me 2 plumba, u arrestua pas verifikimit te pamjeve nga kamerat e sigurisë.
Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesat ka vënë në pranga Alban Trimin, pasi ndaj tij Prokuroria e Tiranës kishte lëshuar një urdhër ndalimi paraditen e djeshme. Trimi akuzohet për kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Sipas burimeve nga SHÇBA, këtë vepër penale oficeri 31vjeçar e ka konsumuar në bashkëpunim me mjekun Redjan Rraja, që u arrestua dy ditë më parë.
“Panorama” shkruan se nga zbardhja e pamjeve të kamerave të sigurisë, është provuar që kanë qenë Trimi dhe Rraja që, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë çantën e viktimës, ku dyshohet se kishte një pistoletë dhe dy telefona celularë.
Nga ana tjetër, ata akuzohen se kanë prishur edhe vendin e ngjarjes, duke lëvizur trupin e viktimës, ndonëse ky veprim sipas tyre është kryer për t’i dhënë ndihmën mjekësore Çiçës, duke qenë se ai kishte ende shenja jete.
Alban Trimi, ushtronte funksionin e oficerit të Policisë Gjyqësore në Komisariatin nr.5.