Policia ka dhënë informacion zyrtar lidhur me atentatin e ndodhur mëngjesin e sotëm në vendin e quajtur “Merkata e Rusit” në lagjen “Partizani”të Shkodrës, ku mbeti i vrarë 68-vjeçari Naim Bajri.
Në momentin që është qëlluar me armë zjarri, Bajri ndodhej në një lokal duke konsumuar kafe së bashku me 58-vjeçarin Astrit Zeneli, i cili mbeti i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas atentatit, në livadh, në lagjen “Guerrile” të Shkodrës, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.
Ndërkohë, Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.