Sibora Gagani lindi 14 Shtator të vitit 1991 në Tiranë. Për disa vite së bashku me të vëllain dhe prindërit jetuan në zonën e Kombinatit në rrugën Llazi Miho në Tiranë derisa prindërit u divorcuan.
Elisabeta së bashku me dy fëmijët Siborën dhe Etlisin u shpërngul në Itali. Një nënë e vetme me dy fëmijë, Elisabeta rriti me shumë sakrifica dy fëmijët.
Sibora ishte rritur dhe arsimuar në provincën e Nettunos 60 kilometra larg qytetit të Romës. Sibora ëndërronte botën e spektalit ose të bëhej një modele. Merr pjesë në Miss Italia dhe fiton në një përzgjedhje rajonale për miss. Më pas filloi punë në një bar dhe siç rrëfen e ëma: “Pronarja e thërriste flutur. Sepse ishte një vajzë solare, energjike. E donin të gjithë”.
Mamaja Elisabeta dhe vëllai Etlisi kurrë nuk reshtën së kërkuari për Siborën. Ata asnjëherë nuk ndaluan së shpresuari se Sibora ishte gjallë dhe një ditë do të kthehej në shtëpi. Etlisi mban prej shumë vitesh tatutash në kraharor emrin e së motrës.
Sibora e njohu Marco Gaio Romeon kur ishte vetëm 18 vjeç kurse ai në atë kohë ishte 31 vjeç dhe kishte dhe ish-gruan nga e cila ishte ndarë. Për Elisabetën ishte shumë e vështirë për ta pranuar këtë raport mes tyre.
E vërteta është se në atë kohë unë nuk doja. Madje kur u takuam i thashë po ça je lidhur me babanë tënd? Me thënë të drejtën nuk më ka pëlyer kurrë ky djalë. Në momentet e para marrëdhënia mes tyre ishte e bukur. Ishin të dashuruar. Ajo ishte çmendurisht e dashuruar pas tij.
Ajo që nuk e bindte Elisabetën ishte fakti që vetëm e bija punonte dhe jo Marco. Dhe një ditë ai i thotë se nuk arrij të gjej punë këtu në Itali dhe dua të kthehem në Spanjë dhe vendosin të shkojnë në Costa del Sole në Torremolinos një zonë turistike.
Ata kur u nisën për herë të parë në Spanjë ishin shumë mirë sepse ishin të dashuruar. Ajo ishte e dashuruar me atë djalë. U nisën. Ishte e lumtur. Pastaj unë shkova atje ta shoh. Atje pashë që ata ziheshin me njëri- tjetrin. Ai ishte xheloz. Por ajo më thoshte se ai e tradhtonte. Vitin e fundit m’u duk e frikësuar dhe më tha: Mama nësë më duhet të ndahem nga ai, më duhet të zhdukem sepse ai nuk më le.
Sibora nuk donte ta shqetësonte të ëmën edhe përse gjërat nuk ishin përmirësuar mes tyre pavarësisht se mes tyre ishte folur dhe për një plan martese.
“Sibora çdo vit bënte vetëm sezonin në Spanjë. Dhe çdo herë që kthehej ajo e linte atë. Pasta ai kthehej. Nuk e di se çfarë bënte sepse thoshte nuk shkoj më por niseshin sërish. Herën e fundit nuk u kthye më. Ai e vrau. Pasi në Qershor ajo u nda përfundimisht nga ai. Më thoshte: Mam të betohem se këtë herë jam ndarë përfundimisht nga ai. Jam e lirë si një flutur por ai m’i këputi krahët”.
Kur u njoftua për herë të parë se Sibora ishte zhdukur?
“Ai më merr në telefon dhe më thotë mos është kthyer Sibora në Itali. Unë i them jo përse? Sepse më thotë se prej dy ditësh jemi zënë dhe ajo u largua. Provova të telefonoj miqtë e saj dhe askush nuk e kishte parë”.
Të dhënat që Marco i jepte Elisabetës ishin kontradiktore. Njëherë i thoshte se Sibora ishte larguar pa marrë asgjë me vete dhe njëherë tjetër se roja i kishte thënë se Sibora ishte larguar me 2 valixhe nga shtëpia e saj. Kështu që nuk kuptohej nëse ajo ishte zhdukur nga shtëpia e saj apo nga shtëpia e tij. Në mënyrë të habitshme për Elisabetën Marco nuk shkoi të bënte as denoncimin në policinë lokale spanjolle për zhdukje e të fejuarës së tij.
“Shkova të bëj denoncimin për zhdukjen dhe për të denoncuar edhe atë pasi kisha dyshime. Ai filloi të bënte nga këto foto që vendosen për të zhdukurit. Një ditë tjetër më thoshte se Sibora ishte parë në një autobus që shkonte për në Argjentinë. E fundit ishte kur thoshte se e kishin parë me një djalë me ngjyrë natën pranë lungomares. E ëma e Marcos tre vite pasi ndodhi kjo gjë erdhi në lokalin ku unë punoja dhe më tha se e kishte parë në Spanjë në një postë. Unë nuk i kam besuar kurrë këto gjëra. Njëherë tjetër më tha se e kishin parë në Napoli dhe e fundit 10 ditë përpara se Marco të vriste partneren tjetër të tij Paula, nëna dhe babai i tij ishin në lokalin ku punonte djali im dhe i kishin thënë se Sibora ishte në Portugali. Ata që po e fshinin sepse për mua prindërit e tij e dinin të vërtetën”.
9 vite në terr të plotë se cili ishte fati i të bijës, një gjë të cilën nuk do t’ia uronte t’i ndodhte askujt. Elisabeta Shahini kërkon që të bëhet drejtësi.
“Unë tani shpresoj vetëm që të bëhet drejtësi. Gjëja e parë, dua që të sjell vajzën time në shtëpi. E pastaj të bëhet drejtësi”.
Por si e mori vesh mamaja e Siborës se Marco ishte arrestuar?
Në një intervistë për programin “Ch la visto” në Rai ajo rrëfeu se ishte ish-pronari ku punonte Sibora në Spanjë që i shkruajti në messenger:
“Të mërkurën në mbrëmje hyj në shtëpi dhe shoh që në messenger kisha një mesazh nga ish- punëdhënësi i Siborës ku më dërgonte të gjtiha videot ku Marco Gaio Romeo kishte vrarë këtë vajzën 28 vjeç dhe ishte arrestuar nga policia. Mund t’iu them se në atë moment më kap një frikë për vdekje. Nuk po u besoja syve dhe veshëve nga ajo që po shikoja dhe po dëgjoja”.
Më 17 Maj 2023 i dyshuari Marco Gaio Romeo u arrestua për vrasjen e Paula-s, një tjetër prej ish-partnereve të tij, pasi u pa duke hyrë dhe dalë nga shtëpia e saj.
Marco Gaio Romeo goditi 14 herë me thikë ish-partneren e tij Paula në resortin e pushimeve në Costa del Sol në Torremolinos, Provinca Malaga në Spanjë. Marco ishte babai i një prej 3 fëmijëve të 28-vjeçares italiane Paula.
Gjatë shoqërimit për në komisariat ai ka parë foton e Siborës të varur në mur tek personat e zhdukur dhe në atë moment në një rrëfim spontan ai ka treguar se ai ishte përgjegjës dhe për vdekjen e saj.
“Dua të bashkëpunoj sepse kjo do të më ndjekë përgjithmonë”, u shpreh ai.
Sipas mediave spanjolle Marco Gaio u tha oficerëve se trupi i Siborës ishte fshehur mes mureve të banesës në të cilën ata kishin jetuar së bashku në Torremolinos në vitin 2014. Madje ai ofroi të çonte hetuesit në vendin e saktë ku kishte fshehur trupin e saj.
Por serial killeri italian nuk pranoi që deklarimet e tij të papritura për vrasjen dhe murosjen e Siborës t’i formalizonte ligjërisht përpara avokatit dhe prokurorit.
Megjithatë, si rezultat i thënieve informale , gjyqtari që hetonte çështjen ka rihapur procedimin dhe ka urdhëruar kontrollin e banesës ku Marco dhe Sibora kanë jetuar mes viteve 2011 dhe 2014.
Në kuadër të hetimeve, në orët e para të pasdites së të hënës së datës 22 Maj 2023 rreth 20 oficerë kanë hyrë në pronë. Një apartament i ndarë në dy kate në qendër të Torremolinos dhe inspektoi çdo mur ndarës në kërkim të trupit të Siborës ose ndonjë të dhëne për vendndodhjen e saj.
Hetuesit përdorën detektorë dhe më pas shpuan në zona të ndryshme të banesës për të kontrolluar nëse brenda kishte mbetje njerëzore. Ata inspektuan edhe banjën dhe dhomat e tjera. Kërkimi përfundoi pa gjetur prova të trupit të të resë.
Paraditen e së martës datë 23 Maj, specialistët e mjekësisë ligjore janë kthyer në shtëpi dhe kanë kryer hetime të reja në dhoma të ndryshme, por pa rezultat pa gjetur trupin.
Marco ishte personi i fundit me të cilin Sibora kishte kontakte përpara se të zhdukej. Më 7 Korrik 2014 ata patën një bisedë në WhatsApp dhe ajo nuk u dëgjua më.
Pak para se të zhdukej, Sibora ndodhej në Spanjë pasi u nda me ish-partnerin e saj dhe u zhvendos në një apartament në Calle Hoyo në Torremolinos. Që në fillim, policia e konsideroi atë një zhdukje “me rrezik të lartë”. E reja ishte zhdukur pa marrë celularin, pa rroba dhe duke lënë pas të gjitha sendet e saj.
Teksa po mbahet në qeli në Spanjë, 45-vjeçari është një person “tipik abuziv i substancave, me një mungesë të theksuar kontrolli ndaj impulseve e ndërlidhur me xhelozinë dhe tipare të dukshme antisociale”.
Kështu shprehet ekspertja spanjolle e Kolegjit Zyrtar të Psikologjisë, Mariela Checa. Pikërisht ky profil bën që autoritetet të kenë dyshime se mund të ketë kryer krime të tjera dhe në Itali.
Ky profil po ashtu shpjegon edhe sesi është e mundur që Marco bënte një jetë normale, që prej zhdukjes së Siborës e cila ishte 22 vjeçe, në Korrik të 2014-s, duke e ditur që trupi ishte në një kuti prej druri, e murosur në shtëpinë ku jetonin bashkë.
Kjo sjellje, në terma psikologjikë, lidhet me amnezinë disociuese, që është një mënyrë për t’u mbrojtur mendërisht, shpjegon ekspertja. Kjo amnezi, mund të shfaqet tek pacientë që kanë jetuar një ngjarje dramatike dhe bën që ajo ngjarje të bllokohet totalisht nga truri i tyre dhe në këtë mënyrë vijojnë një jetë absolutisht normale, siç edhe në fakt ka ndodhur.
Psikologia shpjegon se rrëfimi spontan në polici për vrasjen e Siborës kur pa foton e zhdukjes së saj dhe buqeta me lule që u gjet në kufomën e shqiptares, kanë lidhje me pendesën. Sipas saj, lulet janë një gjest që simbolizon kërkesën për falje, edhe pas asaj që ka bërë.
A do të kishte pasur më shumë viktima nëse Marco Romeo nuk do të ishte arrestuar? Psikologia thotë “me gjasë po” sepse siç shpjegon “Marco nuk e kupton ku janë limitet”./ Tv Klan